I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shfaqi shpresën të enjten se qeveria e Kosovës do të gjejë një zgjidhje lidhur me përdorimin e dinarit serb, ndërsa theksoi se sfidat në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po sfidohen nga trajtimi i pakicës serbe në Kosovë.
Pas një takimi mëse dy orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më i qëndrueshëm dhe më i përkushtuar i Kosovës.
“Por, më duhet të pranoj se kjo marrëdhënie ka disa sfida tani. Dhe sinqerisht, këto sfida janë për shkak të trajtimit të pakicës serbe. Dhe është për të ardhur keq që ne duhet të kalojmë nëpër këtë. Vendimi i Bankës Qendrore ka shkaktuar një vështirësi reale për disa nga qytetarët e këtij vendi dhe ne jemi shumë të shqetësuar”, tha zoti Escobar duke nënvizuar se kjo është një çështje humanitare në zhvillim që duhet trajtuar menjëherë.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se e ka falenderuar zotin Eskobar për mbështetjen amerikane dhe ka theksuar siç tha nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. “Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e Bankës Qendrore dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”.
Më herët gjatë ditës zoti Escobar tha se dëshiron që të punojë me qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente për çështjen e dinarit serb pasi sipas tij, nga ky vendim po vuan komuniteti serb. Në një deklaratë për median lokale në gjuhën serbe “Gorazhdec”, zoti Escobar tha se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurta dhe të dinjitetshme ndërsa theksoi se “qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë për ta realizuar këtë dhe Shtetet e Bashkuara do t’a mbajnë përgjegjëse për këtë”.
Ai tha pas takimit me kryeministrin Kurti se askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po ndikohet nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shqyrtojë disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar, por pa dhënë hollësi se çfarë propozimesh ka ofruar.
Zoti Escobar hodhi poshtë pohimet për qasje të pabarabartë të Shteteve të Bashkuara kundruall Kosovës.
“Gjithçka që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Pra, menjëherë pas Ohrit, ne mbështetëm kandidaturën tuaj për Këshillin e Evropës. Ne i kemi mbështetur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Ne ju qëndruam pranë pas sulmeve të 24 shtatorit dhe morëm një vendim për t’ju ndihmuar në sigurimin e armëve Javelin. Pra, më shpjegoni se si kjo është e pabalancuar. Në të vërtetë nuk është. Në ndërkohë, ne shpresojmë se Kosova mund të dëgjojë shqetësimet tona. Dhe nuk duhet të jetë shumë e vështirë. Këta janë shtetas të Kosovës”, tha zoti Escobar.
I dërguari amerikan, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë qëndroi edhe në Manastirin e Deçanit, një ditë pasi qeveria në Prishtinë vendosi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.
Shtetet e QUINT-it kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit.
Ai e mirëpriti këtë vendim të cilin diplomatët e vendeve kryesore perëndimore cilësuan të enjten si “hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve të Kosovës në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.
Zoti Escobar diskutoi edhe me partitë politike opozitare dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës mbi zhvillimet e fundit.
Udhëheqës të partive opozitare vunë theksin te marrëdhëniet aktuale ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Kosovës.
“Në atë që na u tha, qartë dhe zëshëm, nuk kanë qenë në një nivel kaq të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkërendimit të ngushtë me aleatët tanë kryesor, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjell pasoja për integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për të gjithë ne natyrisht”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Besoj që po shihet se tash jemi në atë periudhën ku po dënohemi për qasjen, për mënyrën si i kemi menaxhuar këto marrëdhënie, obligimet e marra nga plani franko-gjerman i mbështetur prej amerikanëve, kanë mundur me na dërgu përpara drejt NATO-s. Meqenëse (Albin) Kurti është kthyer mbrapa, pra po gjen tema me rrit populizmin, me rrit emrin e vet, po shihet që është e qëllimshme me e dënu Kurtin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Prishtinën se mungesa e bashkërendimit pengon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Zoti Escobar tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s kalon nëpër pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe të gjitha ato duan të shohin përparim në çështjet që janë në pajtim me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
voa