Nga fillimi i muajit korrik, prokuroritë në Kosovë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve, të cilat transferohen nga EULEX-i. Kosova ka rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX tashmë ka filluar të bëjë transferimin e lëndëve tek institucionet kosovare të drejtësisë, pas përfundimit të mandatit mbi dhjetë vjeçar dhe kalimit në një mision me mandat këshillues. Prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Sylë Hoxha, thotë se lëndët e EULEX-it, i merr Prokuroria Speciale e Kosovës dhe këtë transferim lëndësh ai nuk e sheh problematik, megjithëse ka disa mangësi në fillim të këtij procesi.
“Nga fillimi i muajit korrik të këtij viti, prokuroritë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve të cilat kalohen nga EULEX-i. Në fillim janë vërejtur disa mangësi, sepse këto lëndë nuk po na vijnë krejt të kompletuara, shembull, kemi raste kur na dërgohen vetëm kopjet e lëndëve, jo edhe origjinali”, citojnë mediet lokale prokurorin Sylë Hoxha. Megjithatë ai thotë, se prokurorët e Kosovës tashmë kanë përvojë në raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të krimeve të luftës.
“Sa u takon lëndëve të krimeve të luftës ne i kemi prej një kohe dy prokurorë që merren vetëm me lëndë të kësaj natyre. Pastaj për krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë veç jemi duke i punuar ato lëndë dhe për ne nuk paraqet ndonjë sfidë. Prokurorët nga Kosova janë të aftë të punojnë pa iu nënshtruar ndikimeve politike. Ne kemi pasur raste me aktakuza edhe për ministra edhe për sekretarë të përhershëm apo edhe për kryetarë komunash, dhe nuk kemi pasur kurrfarë pengese në këtë drejtim”, thotë Sylë Hoxha.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Betim Musliu, i tha DW-së se “kredibiliteti i misionit EULEX në Kosovë nuk është i mirë”, prandaj ai nuk e di se çfarë mund të këshillojë misioni tash me mandatin e ri që ia dha Këshilli i Bashkimit Evropian. “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve gjyqësore, me fokus në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilat EULEX-i ka pasur mandat ekskluziv për trajtimin e këtyre rasteve dhe gjetjet dëshmojnë se performanca e EULEX-it lë shumë për të dëshiruar. IKD vlerëson se ka pasur një dështim të madh të EULEX-it në zbatimin e kompetencave ekskluzive. Dështimi më i madh i EULEX-it si mentorues është në ngritjen e kapaciteteve profesionale vendore”, thotë Betim Musliu.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sipas zotit Musliu ka kohë që ka rekomanduar krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale për luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Këto organe sipas tij, do të merreshin me procesin e verifikimit dhe rekrutimit të hetuesve policorë, prokurorëve dhe gjykatësve kosovar.
Që nga përfundimi i luftës deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte nën menaxhimin e administratës së OKB-së. Në vitin 2008, shumë kompetenca kaluan tek institucionet kosovare, mirëpo, megjtihatë lëndët e ndjeshme, siç ishin lëndët e korrupsionit të profilit të lartë dhe ato të krimeve të luftës mbeten kompetencë e misionit EULEX, i cili sapo ishte dislokuar në Kosovë. Duke qenë që të pakta ishin rastet e krimeve të luftës që morën zgjidhje nga misioni EULEX, me një rezolutë të Këshillit të Evropës, Kosovës iu kërkua që ta themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte. Kjo gjykatë akoma nuk ka nisur punën, ndërsa, misioni EULEX, tash e tutje do të mbrojë dëshmitarët në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.
Më 4 qershor të këtij viti, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me një letërkëmbim me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, njoftuan për përmbylljen e mandatit të deritashëm i misionit të EULEX-it. Vetëm katër ditë pas, me 8 qershor, Këshilli i BE-së mori vendim për zgjatjen edhe për dy vjet të mandatit të misionit EULEX, por tash në një format tjetër, atë të monitorimit, por, edhe në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve, përkrahjen e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Gjykatës Speciale). Kështu u bë e ditur nga Këshilli i BE-së, ku u mor vendimi për mandatin e ri të misionit, që do të zgjasë deri më 14 qershor të vitit 2020 me një buxhet prej 169 milionë eurosh.
“Misioni i ri do të jetë i fokusuar në këto pika: monitorim të rasteve të caktuara dhe gjykimeve, monitorimin, mentorim dhe këshillim për Shërbimin Korrektues dhe mbështetje operacionale për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë – Serbi”, thuhet në komunikatën e Këshillit të BE-së.
Disa herë shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare kanë kritikuar sistemin kosovar të drejtësisë si jo efikas në luftimin e profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është Departamenti amerikan i Shtetit i cili në raportet e mëhershme, thotë se “Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjet që mundësojnë përndjekjen e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz në Kosovë”. Në Kosovë, punojnë rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë, ndërsa, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të mbetet i lartë. (dw)