Familja Dehari, djali i së cilës, Astriti, sot ndërroi jetë derisa ishte i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka kërkuar që autopsia e djalit të tyre të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga vetë familja.
“Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja”, thuhet në kërkesën që e ka bërë familja Dehari, e të cilën mediave ua ka përcjellë Lëvizja Vetëvendosje.
“Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja”, thuhet në reagimin e familjes Dehari, raporton Koha.net.