Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shkon të martën pasdite në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një njoftim të zëdhënëses së saj Maja Kocijançiç, thuhet se “në kthim nga Tashkenti ku ndodhej në një konferencë për Afganistanin ajo do të qëndrojë në Beograd për të diskutuar me presidentin serb për të ardhmen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Vizita pason ngjarjet e një dite më parë në veriun e Kosovës ku policia arrestoi zyrtarin serb Marko Gjuriç, për shkak të hyrjes së paligjshme në Kosovë.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të “dëshmojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe pjekuri” dhe të ruajnë dialogun.
Edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë nënvizuar se “dialogu nuk ka alternativë”. (voa)