Filipova: Serbia përfaqëson strumbullarin e ndikimit malinj Rus në Ballkan

FilipovaKryeshefja e “Global Analytics”, Dr. Rumena Filipova, në një intervistë për portalin rajonal ballkanik “The Geopost”, ka thënë se Serbia e përfaqëson strumbullarin e aktivitetit të ndikimit keqdashës të Rusisë në Ballkan.

Bullgarja Filipova, e cila ka mbaruar studimet në SHBA, ka thënë se “Rusia ka një ndikim të gjerë politik, ekonomik, kulturor dhe mediatik në Ballkan. Mbështetja në media është veçanërisht shqetësuese sepse synon të kapë ‘zemrat dhe mendjet’ duke minuar besimin e shoqërive ballkanike në demokraci dhe një orientim properëndimor të politikës së jashtme”.

Në këtë intervistë ajo ka folur edhe për qasjen e Rusisë karshi Republikës së Kosovës, duke u ndalur te ngjarjet e bllokimit në pikat kufitare në veri të vendit.

“Pasi që Kremlini nuk mund të promovojë lehtësisht iniciativat e tij brenda Kosovës (duke pasur parasysh se Rusia shihet gjerësisht në terma negativë nga kosovarët), ai e ka fokusuar ofensivën e tij mbi popullatën serbe në veri të Kosovës”, ka thënë Filipova.

Ndërsa për përfshirjen e ambasadorit rus në Beograd, Botsan Kharchenko, në kufirin kosovaro-serb, Filipova ka theksuar se “kjo nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se Rusia ka mbajtur ndikim të gjerë në inteligjencën diplomatike dhe operacionet në Ballkan, veçanërisht duke nxitur një partneritet të ngushtë me Serbinë. Komploti i grusht-shtetit në Mal të Zi është një nga shembujt më të qartë të bashkëpunimit të inteligjencës ruso-serbe. Vende të tjera të Evropës Juglindore gjithashtu janë prekur ndjeshëm nga aktivitetet ruse të spiunazhit. Në Bullgari, aktivitete të tilla spiunazhi kanë qenë të dukshme në sferën e mbrojtjes, ku operativët e inteligjencës ushtarake bullgare gjetën për rusët informacione sekrete të NATO-s. Që nga viti 2019, Sofja ka dëbuar 7 diplomatë rusë me akuza për spiunazh (në fushën e ushtrisë, tregtisë e energjisë) dhe lidhje me shpërthimet e Vërbeticës”.

Në intervistën për “The Geopost”, Filipova ka folur edhe për dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

“Çfarë qasje do të mbështesë pasardhësi i Zaev është një çështje tjetër e rëndësishme. Ka edhe shenja që nacionalistët e krahut të djathtë të VMRO-DPMNE, e cila aktualisht është opozitë në Parlament, do t’i frenojë nismat e fqinjësisë së mirë të ndërmarra tashmë midis Greqisë/Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore. Për shembull, përmes rikthimit të përdorimit të emrit të vjetër të vendit. Mbi të gjitha, Rusia ka shumë të ngjarë të përdorë hapjen e ofruar nga kjo pasiguri për të vazhduar të minojë rrugën euroatlantike të Shkupit, siç ka bërë në të kaluarën përmes iniciativave ekonomike korruptive dhe dezinformatave”, ka nënvizuar udhëheqësja bullgare e “Global Analytics”.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>