Fillon ndërtimi i ambasadës amerikane në Prishtinë

ambasadaAutoritetet e Kosovës thonë se ndërtimi i ambasadës nuk është vetëm përcaktim i adresës së përhershme amerikane por edhe simbol i qëndrueshmërisë së shtetit të ri.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson hodhën gurthemelin e ndërtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Rreth 700 punëtorë do të angazhohen në ngritjen e kësaj godine që siç u tha, shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë së përhershme të diplomacisë amerikane në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që Shtetet e Bashkuara kanë në bërjen e Kosovës shtet.

Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”.

Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson tha se dita e sotme shënon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në këto vjet ekipi ynë ka punuar me shumë zell për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për ambasadën e re aq të nevojshme, por edhe të simbolit të përkushtimit dhe miqësisë së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Ndërtimi i ambasadës amerikane ndodhë 19 vjet pas hapit të parë të pranisë së përhershme amerikane në Kosovë. Në qershor të vitit 1996 Shtetet e Bashkuara hapën në Prishtinë Zyrën Informative, e cila pas luftës u shndërrua në misionin e Shteteve të Bashkuara për t’u shndërruar në ambasadë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Në Kosovë vazhdon të çmohet shumë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike të Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash mbi 100 vende të botës e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Zyrtarët amerikan kanë përsëritur në vazhdimësi se pavarësia është proces i pakthyeshëm dhe se Kosova është e bashkuar dhe e pa ndarë. Por, njëkohësisht ata kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësitë për ndërtimin e një shteti funksional, ringjalljen ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe veçanërisht mbrojtjen e pakicave kombëtare. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>