Telekomi, energjia, liria e lëvizjes dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë temat kryesore të bisedimeve të sotme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Në Bruksel filloi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në raundin e sotëm do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Javën e kaluar palët dështuan të arrijnë marrëveshje për këto cështje.
Prishtina pohon se Kosova do ta marrë kodin e saj telefonik 383 drejtpërdrejtë nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve dhe se kërkesa në emër të Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Por, Beogradi mohon të ketë një marrëveshje të tillë. Zyrtarët serbë thanë se janë të gatshëm të pajtohen me këtë zgjidhje, nëse një kompanie serbe i lejohet operimi në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Qëndrime të kundërta kanë përshkuar edhe debatet rreth energjisë për shkak të refuzimit të Serbisë që të lërë nën kontrollin e qeverisë së Kosovës të liqenit të Gazivodës, që shtrihet përgjatë kufirit verior të Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ne veri të Kosovës. Ky liqen vlerësohet me rëndësi thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, pos tjerash për faktin se Termocentralet e Kosovës varen nga furnizimi me ujë prej tij. Beogradi ka pohuar se ka ofruar ndarjen e pronësisë 50 me 50 për qind, por Prishtina këtë nuk e ka pranuar.
Qëndrimet janë kundërthënëse edhe për lëvizjen e lirë në veri, përkatësisht largimin e pengesave nga ura kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.
Pjesë e vështirë e bisedimeve pritet të jetë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Prishtina ngulë këmbë se ky asociacion nuk do të ketë pushtet ligjvënës e as ekzekutiv, ndërsa Beogradi kërkon më shumë autonomi të asaj që ai e quan Bashkësia e komunave serbe.
Gjatë ditës pritet të diskutohet edhe shkalla e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash. Nga ky zbatim varet edhe ritmi i hapjes së kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Në fillim të korrikut në Beograd pritet të qëndrojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ngulë këmbë në qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Paraprakisht ajo të martën më 30 qershor pret në takim kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me gjithë kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. (voa)