Fjalimi i kandidatit për kryeministër

Albin KurtiKëshilli i Përgjithshëm ka zgjedhur sot me vota unanime, për herë të parë kandidatin për Kryeministër, aktivistin e shquar Albin Kurti. Më poshtë, fjalimi i tij, pas nominimit.

Të dashur aktivistë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Zgjedhjet e 11 qershorit na vendosin përballë një situate më të qartë se kurrë. Nga njëra anë është krahu i vjedhjes, i padrejtësisë, i krimit, i milionerëve, i Zajednicës dhe i Demarkacionit, përfaqësuar nga koalicionet e momentit të fundit. Nga ana tjetër është Lëvizja Vetëvendosje, subjekti që qëndron për punëtorin, prodhuesin e të papunin e të shtypurin, subjektin që dëshiron t’i bëjë më të mira jetët e të gjithëve. Pra, subjekti i popullit e subjekti i shumicës.

Këto zgjedhje do të jenë një betejë e vërtetë mes pushtetarëve të djeshëm me demokracinë e drejtësinë e nesërme. Detyra jonë mbi çdo detyrë, detyra e të gjithë anëtarëve të këtij Këshilli, detyra e secilit anëtar kryesie e deputet, është që ta fitojmë këtë betejë. Këtë ia kemi borxh dhjetëra mijëra anëtarëve tanë, qindra prej të cilëve janë anëtarësuar vetem në dy ditët e fundit me shpresën e madhe tek Lëvizja VETËVENDOSJE!. Këtë ia kemi borxh mbështetësve e votuesve tanë, që janë qindra mijëra. E mbi të gjitha, këtë ia kemi borxh popullit të Kosovës e kombit shqiptar që për shkak të padrejtësisë historike e aktuale po vuan një mjerim ekonomik e institucional, shpirtëror e moral.

Gjatë kësaj fushate ka për të pasur tension të madh. Koalicionet që u bënë, lëshimet e mëdha që ka bërë PDK-ja, tregojnë për frikën e madhe që ata kanë kësaj radhe. Beteja jonë disa-vjeçare, në Kuvend, në asambletë komunale, në sheshe e në rrugë, na ka rritur shumë. Ne jo vetëm që e kemi ndalur Demarkacionin dhe Zajednicën, por me rritjen tonë ua kemi futur frikën në palcë atyre, të cilët mendojnë se do të na ndalin me pazare. Prandaj, asnjëra prej ish-partive të mëdha nuk ka guxuar të nxjerrë kandidat për kryeministër në këto zgjedhje. As PDK e as LDK nuk kanë nxjerrë kandidat për kryeministër, PDK e ka shitur kandidaturën tek një parti e vogël, ndërsa LDK është dorëzuar krejt dhe ka kandiduar një figurë të dorës së tretë. Ne jemi i vetmi subjekt që tregojmë rritje, si në aktivitet, mbështetje dhe sondazhe, e jemi i vetmi subjekt që nuk ka nevojë të bëjë kalkulime për të nxjerrë ndonjë kandidaturë të pasinqertë e koti. Ndaj unë gjej rastin t’ju falënderoj të gjithëve për besimin që ma keni dhënë përmes votës në këtë këshill. Nuk ma keni dhënë votën miqësisht apo për arsye personale, pasi sigurisht që miqësitë nuk duhen përzier me politikën. Jam i bindur se këtë votë ma keni dhënë si militantë të vërtetë, si bashkëluftëtarë, si njerëz të një ideali e të një morali sipëror, si njerëz të Republikës, si njerëz për vetëvendosje. Këto vlera tuajat natyrisht se do të shfaqen edhe gjatë zhvillimit të fushatës, e edhe gjatë e pas zgjedhjeve, duke na shtyrë përpara drejt fitores e fitoreve të reja.

Si kandidati juaj për kryeministër unë ju betohem se do të vazhdoj të jem shprehje e lartë e idealit të vetëvendosjes, parimeve, manifestit, programit politik dhe alternativës sonë qeverisëse.

Gjatë fushatës sunduesit dhe kriminelët e djeshëm, nëpërmjet mediave dhe gazetarëve që ata i zotërojnë si pronë, do t’i dëgjojmë të na thonë se unë nuk mund të fitoj, e se ne nuk mund të fitojmë, pasi që unë nuk veproj siç veprojnë ata. Nuk i shes idealet tona tek korporatat e mëdha, nuk merrem me thashethemet e kalkulimet e prapaskenave mediale, e edhe me ndërkombëtarët synoj ta përfaqësoj Kosovën ndershmërisht si shtet sovran. Me ta ne do të ndërtojmë partneritet të mirëfilltëpa armiqësi e pa servilitet.Kjo është krejt e kundërta e tyre, sepse ata janë tërësisht të blerë prej korporatave të oligarkëve kosovarë e ballkanikë dhe kjo ua pamundëson çdo lloj ideje për zhvillim ekonomik apo për luftë kundër korrupsionit. Politika e tyre është një hajgare e nivelit të ulët, që gjen jehonë veç përmes thashethemit medial, tek mediat që i zotërojnë vetë. E përballë ndërkombëtarëve ata shfaqen si ai nxënësi i dobët e i patalentuar, që shpreson ta marrë një notë kaluese duke qenë servil ndaj mësuesit. Prandaj do të lodhen duke thënë, siç kanë thënë gjithmonë, se unë nuk do të fitoj e se Vetëvendosja nuk do të fitojë, për sa kohë nuk bëhet si ata.

Por një Vetëvendosje si ata do të ishte shkelje mbi gjakun e Monit, Arbenit e Astritit, shkelje mbi djersën e të gjithë aktivistëve që kanë sakrifikuar në këto vite, shkelje mbi vuajtjen e brengën e shoqërisë e të kombit, shkelje mbi amanetin e luftëtarëve, dëshmorëve e martirëve në dekadat e shkuara. Dhe, pikërisht duke qenë vetja jonë, ne jemi rritur si akush tjetër.

Andaj unë betohem se Vetëvendosja si subjekt do të vazhdojë të mbetet shprehja më e kulluar e Vetëvendosjes si ide e si frymë.

Gjatë kësaj fushate unë do të ngre pa u lodhur zgjidhjet politike që ne ofrojmë në alternativën tonë, me ç’rast po theksoj disa pika:

Me mua kryeministër do të merren masa urgjente për luftimin e varfërisë e të mjerimit. Paga minimale do të jetë e barabartë me minimumin jetik, dhe përmes sistemit të tatimeve e të taksave do të mbajmë çmime të ulëta për produktet e shportës jetike, që kanë të bëjnë me ushqimin, veshjen, higjienën dhe shkollimin e secilit qytetar të Kosovës. Mjerimin do ta luftojmë me çdo mjet që kemi.

Me mua kryeministër do të ndihmohet sipërmarrja e vogël dhe e mesme si dhe bujku i vogël e fermeri i mesëm. Në një ekonomi të shkatërruar nga neoliberalizmi, siç është Kosova, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është mundësi e mirë për të mbështetur mirëqenien familjare e për pasojë edhe atë kombëtare, duke i hapur rrugë rritjes, rritjes së ndërmarrjeve të vogla në të mesme dhe atyre të mesme në të mëdha. Por këto sipërmarrje duhet të mbrohen nga monopolet e kapitalit të madh, i cili është i pakonkurueshëm. Ne do ta drejtojmë kapitalin e madh privat në investime industriale. Sektorët e prodhimit të ushqimit, tregtimi i produkteve bazike, apo edhe disa shërbime bazike, nuk do të jenë terren i hapur për kapitalin e madh sepse ashtu vetëm sa vritet konkurrenca dhe shkatërrohen sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Pra, kapitalin e madh privat do ta drejtojmë tek fabrikat dhe zhvillimi teknologjik. Ky është koncepti ynë ekonomik.

Me mua kryeministër do të luftohet krimi e korrupsioni e do të reformohet sistemi i drejtësisë. Disa nga këta pushtetarët e djeshëm, të njohur për haraçe, korrupsion e krime të rënda, do t’i shihni në burg. Qeveria jonë nuk do t’i mbrojë të korrupruarit dhe kriminelët. Ata do t’i mbrojë avokati. S’do të ketë ulëse pushteti por veçse krevat burgu për ta.Qytetari i Kosovës do të jetë i barabartë përpara ligjit dhe institucionit me cilindo tjetër, qoftë ai i pasur, qoftë nga ndonjë vend tjetër. Policia, prokuroria e gjykatat do të shkëputen prej partive që i kanë kapur dhe do të drejtohen nga njerëz profesionistë që do të mbrohen nga shteti e nga shoqëria jonë. Mafia do të luftohet në tërësinë e saj, me intensitet të lartë. E, në atë sistem drejtësie të pavarur, do të shpresojmë të shohim më në fund edhe të vihet drejtësia për rastin e Astrit Deharit, por edhe për shumë raste të tjera.

Me mua kryeministër Kosova do të bëhet me ushtrinë e saj dhe do të realizojë të drejtën e popullit tonë për t’u mbrojtur. Ushtria e Kosovës do të jetë partnere e aleatëve tanë strategjikë, Shqipërisë, SHBA-së,  dhe vendeve të tjera, dhe përmes saj do të synojmë edhe të anëtarësohemi në NATO.

Me mua si kryeministër çështja kombëtare, dhe çështja e të drejtës së Kosovës për të qenë sovrane e për të vendosur të bashkohet me Shqipërinë do të jetë një çështje prioritare. Por për këtë ndoshta nuk ka nevojë të zgjatem, sepse të gjithë juve këtu këtë e dini mirë, dhe për këtë arsye më keni emëruar si kandidat për kryeministër.

Këto e të tjera çështje do të ngrihen nga unë e nga të gjithë kandidatët e tjerë në listë, në debatet tona elektorale e në të gjitha tubimet që do t’i kemi. Këto aktivitete do të na nxjerrin në skenë neve shumë shpesh, e juve do t’ju duhet të na shihni nga ana tjetër, ku do të jeni së bashku me publikun. Por kurrë mos mendoni se ky lloj imazhi pervers përkthehet në atë që thotë ndonjë cinik, se ne jemi lart e ju jeni poshtë. Jo, ne gjatë kësaj fushate jemi vetëm vitrina juaj, fytyra. Aktivisti është truri, zemra e shpirti i organizatës. E unë, qoftë si kandidat për kryeministër, qoftë edhe në çdo detyrë tjetër që do të më ngarkohet kurdoherë në të ardhmen, thelbësisht do të mbetem një nga ju, militant, shok beteje, dhe mbi të gjitha i barabartë me ju në përkushtimin e disiplinën që kërkon qëllimi frymëzues që i kemi vënë vetes.

Së bashku ne do të jemi dita e re e shoqërisë dhe e kombit tonë pas një nate të gjatë padrejtësish e papjekurish. Do të jemi ndryshimi rrënjësor, do të jemi shteti, drejtësia, ekonomia dhe demokracia. Vetëm së bashku. Gjithnjë së bashku. VV

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>