Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hapur rast për thirrje për rezistencë, për fletushkat e shpërndara gjatë ditës së djeshme në veri të vendit, përmes të cilave jepeshin udhëzime se “s’i t’i kundërvihet Policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani konfirmoi për RTKLive se pas konsultimit me prokurorin është hapur rasti “Thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”.
Ai ka thënë se për këtë rast ende nuk ka të dyshuar e as të arrestuar.
“Dyshojmë se dje gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërndarë dhe ne kemi hasur në to më vonë. Pas konsultimit me Prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hapur rasti thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, ka thënë Elshani.
E ashtuquajtura ‘Mbrojtja Popullore’ ka shpërndarë fletushka në veri të vendit, për t’u dhënë instruksione serbëve lokalë për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës, si dhe ndaj shërbyesve civilë, për të cilët ka thënë se janë të Kurtit.
Në ato fletushka jepen udhëzime se si duhet të veprojnë serbët kur shohin patrullat e policisë e shërbyesit civilë, si të thyhet automjeti i policisë e si të bëhet një koktej molotovi.
Në to gjithashtu theksohet se kundërvënia është e detyruar.
rtk