Në vitin 2021, Kosova kishte eksportuar 131 milionë euro mallra në SHBA. Shumica prej tyre ishin dyshekë, jorganë e jastëkë. Vitin e kaluar, kjo shifër ra në rreth 39 milionë euro. Tani, eksporti është vështirësuar për shkak të tarifës prej dhjetë për qind të vendosur nga SHBA-ja.
Më 2 prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se do t’i vendoseshin tarifa mallrave të importuara nga të gjitha vendet e botës.
Për Kosovën vlen tarifa bazë prej dhjetë për qind, ndërsa për disa shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor u vendosën tarifa edhe më të larta si “masë reciprociteti”.
Tarifat – që do të hyjnë në fuqi në ditët në vijim – janë vendosur me qëllim të përmirësimit të ekonomisë së SHBA-së. Por, vendimi është kritikuar pasi që konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të çmimeve për automjetet, rrobat dhe mallrat e tjera.
Për shembull, qytetarët amerikanë, që më parë kanë blerë produkte të eksportuara nga Kosova, tani mund të përballen me çmime më të larta, pasi që kompanitë që importojnë mallrat nga Kosova do të duhet ta paguajnë tarifën prej dhjetë për qind.
E, çfarë mallra kosovare janë shitur në SHBA? Të dhënat tregojnë se produktet më të eksportuara janë dyshekët, jorganët, jastëkët e fustanet.
Çka ka eksportuar Kosova më së shumti në SHBA?
Në pesë vjetët e fundit, Kosova më së shumti ka eksportuar dyshekë në SHBA, kur merret parasysh renditja e mallrave sipas vlerës së tyre. Prej 2023-tës, vendin e dytë e zë eksporti i fustaneve.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Kosova eksportoi veshmbathje – kryesisht fustane – në vlerë prej 3.2 milionë eurosh.
Fustanet, produkti më i eksportuar nga Kosova në SHBA
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, veshmbathjet përbënin rreth 57 për qind të vlerës së produkteve të eksportuara nga Kosova në SHBA. Më së shumti u eksportuan fustane.
Tarifa më të larta sesa tarifa bazë prej dhjetë për qind i janë vendosur vendeve me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar, pra me vendet nga të cilat SHBA-ja më shumë importon sesa që eksporton.
Në rastin e Kosovës, importi nga SHBA-ja ka qenë pothuajse gjithmonë më i madh sesa eksporti në SHBA.
Vetëm në periudhën prej 2021-tës deri më 2023, kjo gjë kishte ndryshuar.
Sa eksporton e sa importon Kosova në SHBA?
Periudha nga viti 2021 deri në vitin 2023 ishte e vetmja kur Kosova eksportoi më shumë sesa që importoi nga SHBA-ja.
Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, eksporti në SHBA ka qenë shumë i vogël në krahasim me vlerën e gjithsej eksportit nga Kosova.
Më së shumti eksport në SHBA kishte pasur në vitin 2022. Atë vit, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 131.1 milionë eurosh, apo 15.1 për qind të gjithsej eksportit.
Një dekadë eksport nga Kosova në SHBA
Deri në vitin 2020, vlera e eksportit në SHBA nuk ishte e ndjeshme në krahasim me vlerën e gjithsej mallrave të eksportuara nga Kosova. Në vitin 2022, eksporti në SHBA përbënte 15.1 për qind të gjithsej eksportit.
Edhe Kosova ka tarifë prej 10 për qind në mallra të importuara nga SHBA-ja. Autoritetet e Kosovës e aplikojnë këtë tarifë për të gjitha vendet me të cilat nuk kanë marrëveshje të tregtisë së lirë.
Përveç kësaj, Kosovës i paguhet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në vlerë prej 8 për qind për mallra esenciale, ndërsa për mallrat e tjera prej në vlerë prej 18 për qind.
rel