Kosovën e vizituan dje dhe sot ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Porositë për autoritetet kosovare ishin shumë të qarta.
Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel përshëndeti pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj “vullnetin e Kosovës për të zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”. Gabriel nënvizoi se “Gjermania është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe është krenare me të gjitha të arriturat e deritanishme në këtë vend.” Ai shfrytëzoi këtë vizitë për të uruar popullin e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë. Por shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se “Kosova edhe më tej gjendet para sfidave të mëdha”.
“Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe ekonomike. Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitetin ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, theksoi Gabriel, pas takimit me kryeministrin Haradinaj në Prishtinë.
Sfidat, gjykata dhe demarkacioni
Ministri i Jashtëm gjerman Gabriel tha se Kosova duhet të përballet me “sfidat si zbatimi i ligjit, kryerja e reformave dhe gjykatat e pavarura”. Ndërkohë që Gjermania, sipas tij, do të vazhdojë të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për t’u përballur me çështjet jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, nënvizoi Gabriel. Ai u shpreh “i lumtur me gatishmërinë dhe vullnetin e palës kosovare për të zgjidhur edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, theksoi Gabriel, i cili Kosovën vizitoi pas qëndrimit në Beograd dhe takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Gabriel tha se Serbia duhet t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, nëse dëshiron të vazhdojë këtë rrugë. E një prej këtyre kushteve është normalizimi i raporteve me Kosovën dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Serbia duhet ta njohë Kosovën
“Nëse Serbia do të vazhdojë rrugën e integrimit në BE, sundimi i ligjit është prioriteti i parë. Por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, theksoi Gabriel. “Kjo është kërkesa qendrore në rrugën drejt Evropës.”
Gabriel premtoi vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Gabriel është takuar në Prishtinë edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Por takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur prononcime për opinion. Më pas Gabriel ka vizituar edhe Mitrovicën e Veriut, ku është njoftuar me gjendjen në veri dhe tendosjet e fundit, në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Demarkacioni tema kryesore në takimet me Markoviqin
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me homologun Ramush Haradinajn “demarkacioni për palën malazeze ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi”. Por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se Mali i Zi dëshiron ta ndihmojë Kosovën. Markoviq ka thënë se Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje. Por Mali i Zi do të ketë fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë me Kosvoën, me të cilën nuk ka probleme. Çështja e demarkacionit nuk është problem por vetëm një çështje e hapur, tha Markoviq, i cili shpreson se në ta ardhmen të gjenden përgjigje adekuate për zgjidhjen e të gjitha çëshjeve të hapura. Markoviq premtoi se Mali i Zi do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi që të gjendet një zgjidhje për demarkacionin. “Duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme jam i bindur se do të gjendet kjo zgjidhje”, tha shkurtimisht Haradinaj. Por Markoviq dhe Haradinaj nuk folën për afatet deri kur eventualisht mund të zgjidhet kry problem, i cili ndërlidhet me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës. (dw)