Garda ceremoniale e Austrisë, në këto momente po bëhet gati që ta presë me ndërimet më të larta shtetërore, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit me kancelarin Karl Nehammer, që do të mbahet prapa dyerve të mbyllura, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Kjo konferencë do të mbahet në orën 13:00 dhe RTK do të bëjë transmetimin e drejtpërdrejtë të saj.
Përveç çështjeve të Ballkanit Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë, një ndër temat e këtij takimi mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit Nehammer, do të jetë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.
Më pas gjatë ditës, kryeministri Kurti, do të mbajë edhe dy ligjerata.
Njëra do të jetë në Institutin për Politike Evropiane e të Sigurisë si dhe një tjetër në Akademinë Diplomatike të Vjenës.
Ndërkohë, para vizitës në Vjenë, kryeministri Kurti ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për gazetën më të madhe austriake, Der Standard.
Sa i përket porpozimit franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-serbi, në këtë intervistë, kryeministri Kurti ka rikujtuar se më 18 gusht të vitit të kaluar, pati një takim me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Së pari duhet të negociohet një marrëveshje kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendova se ishte e mrekullueshme. Por Vuçiq ka thënë vazhdimisht se nuk është i interesuar për një marrëveshje të tillë kornizë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Vuçiqi është i interesuar për menaxhimin e krizave, për fenomenin e zjarrfikësit.
“Ju ndezni zjarre, pastaj vishni shpejt një xhaketë tjetër dhe thoni, unë mund ta shuaj zjarrin! Tre javë pas këtij takimi, përfaqësuesit e qeverisë franceze dhe gjermane, Emmanuel Bonne dhe Jens Plötner, erdhën me ide që i konsideroj një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme, sepse ato kanë të bëjnë me konceptet dhe idetë universale të integritetit territorial dhe sovranitetit, të drejtave të njeriut, pavarësinë dhe demokracinë”.
Kryeministri Kurti ka thënë se në të kaluarën kishte më shumë një ideologji për zgjidhjen e problemeve, një qasje “sui generis” me një oqean detajesh që dekurajonte të gjithë.
Kurti në këtë intervistë ka thënë se në propozimin franko-gjerman, janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972.
“Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë”.
Sipas Kurtit, me Rusinë dhe Kinën, Kosova nuk e ka një shans të tillë.
rtk