Gashi: Ja si po e përcjellim përvojën amerikane në Kosovë

Qëndrim GashiFondi Kosovaro-Amerikan për Edukim ose KAEF është një program prestigjioz që ofron bursa në nivel masteri, për të rinjtë nga Kosova për të studiuar në universitetet më të shquara amerikane.

 

Programi u themelua në vitin 2004, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID-it). Prej themelimit, mbi 113 të rinj kanë ndjekur studimet e tyre të masterit në Shtetet e Bashkuara përmes bursës KAEF.

Këto ditë në SHBA ndodhet Zhvilluesi i Fondeve për KAEF-in, Qëndrim Gashi gjithashtu profesor në universitetin e Prishtinës. Me zotin Gashi bisedoi gazetarja Menada Zaimi.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, në këto vite të funksionimit të programit si do ta vlerësonit ecurinë e tij?

Qëndrim Gashi: Ky program ngërthen në vete bujarinë e popullit amerikan sepse ai u themelua pikërisht me fondet e USAID-it dhe vlerat amerikane të cilat tenton t’i avancojë, por edhe njohuritë praktike dhe profesionale, të cilat i marrin të rinjtë nga Kosova që vijnë dhe shkollohen në SHBA. Programi ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm sepse ata që e kanë mbaruar atë, janë kthyer në Kosovë. Shumica prej tyre tani kontribuojnë në sferën ekonomike, organizatat joqeveritare, ndërkombëtare, dhe fushën e politikës, dhe të gjithë shquhen për arritjet e tyre. Kështu që programi ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm.

 

Zëri i Amerikës: Rikthimi në Kosovë është i detyrueshëm në kuadër të programit?

Qëndrim Gashi: Pikërisht. Pas mbarimit të programit duhet të kthehen në Kosovë për dy vite.

 

Zëri i Amerikës: Nisur nga aplikimet që me siguri duhet të ketë shumë, duke patur parasysh se këta të rinj shkojnë në universitete prestigjioze amerikane, sikurse Harvard University, Duke Universtity apo Geogetown e Columbia Universtity, si funksionon proçesi i përzgjedhjes për të fituar një bursë?

Qëndrim Gashi: Përzgjedhja, e cila bëhet nga disa ekspertë që vijnë nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë, bazohet mbi potencialin që këta të rinjë kanë për të qenë të udhëheqës në fushat e tyre. Do me thënë potenciali i tyre që të kontribuojnë në Kosovë në zhvillimin e ekonomisë, por edhe në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë. Këto janë parametrat që shihen. Natyrisht, arritjet e tyre profesionale dhe akademike janë elemente të rëndësishme, por i rëndësishëm është potenciali që kanë ata për të qenë aktorë të ndryshimeve në Kosovë.

 

Zëri i Amerikës: Për shembull, si e di një i ri që ai u përzgjodh ishte më i miri dhe që ky është një program i bazuar tek meritokracia, si funksiononi ju me transparencën në këtë drejtim?

Qëndrim Gashi: Në këtë rast, programi e ka të konsoliduar praktikën e sjelljes së ekspertëve që vijnë nga jashtë, testet standartizuara që janë transparente, dhe në një farë forme nganjëherë ne e dimë që ia qëllojmë duke e parë rezultatin. Meqenëse rezultati është i shkëlqyeshëm, 100 për qind e atyre që janë përzgjedhur i kanë kryer me sukses të lartë studimet dhe janë kthyer në Kosovë, dhe kontribuojnë, atëherë besoj që jemi të kënaqur të gjithë. Problemi i vetëm është që programi nuk ka aq fonde sa të financojë aq sa ka talente dhe mundësi Kosova.

 

Zëri i Amerikës: Programi synon të fuqizojë udhëheqësit e ardhshëm të vendit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik të tij. Si i kontribuon programi këtij qëllimi?

Qëndrim Gashi: Programi i kontribuon këtij qëllimi në disa forma. E para, që unë dua ta nënvizoj është një aspekt trivial, por duhet ta ritheksojmë rëndësinë fundamentale që kanë raportet Kosovë-SHBA për Kosovën. Kjo është shumë e rëndësishme. Pasurimet me përvojat dhe njohuritë profesionale janë gjithashtu shumë të rëndësishme për këta të rinj që studiojnë në SHBA. Është edhe një përvojë tjetër, përtej asaj akademike, përvoja e të jetuarit në SHBA që i pajis ata gjithashtu me aftësi që i transferojnë në Kosovë. Dhe me kthimin në Kosovë, ata janë të gjithë pjesë e ndryshimeve që i realizojnë në komunitetin ku ata funksionojnë. Për më shumë, ata nuk janë vetëm aktorë individualë. KAEF-i funksionon edhe me anë të rrjetit të bursistëve (atyre që e kanë mbaruar programin), të cilët organizohen dhe mbajnë ngjarje të ndryshme, kontribuojnë. Para disa muajve, ata kishin zotimin e tyre që secili ta ndihmojë me përvojën dhe kapacitetin që kanë qeverinë e Kosovës pro-bono 40 orë në vit. Do me thënë, ata e transmetojnë edhe këtë shpirtin amerikan të vullnetarizmit. Kjo është shumë e rëndësishme, vlerat amerikane dhe lidhjet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Zëri i Amerikës: Ju folët për vlerat amerikane…. ju e thatë që të studiosh në universitete amerikane, është një mundësi jo vetëm për dije profesionale, por për të përftuar nga dimensione më të gjera të kulturës amerikane. A ka qenë sfidues për ata që kanë studiuar në SHBA, të vijnë pse jo dhe me qasje që mund të tingëllojnë revolucionare për terrenin atje, që t’i zbatojnë këto vizione të tyre?

Qëndrim Gashi: Absolutisht. Në fakt, unë mund të ndaj përvojën time personale sepse edhe unë i kam mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një programit tjetër, jo KAEF-it. Por, sidoqoftë, me kthimin tim në Kosovë shpesh herë e kam parë që ka njërëz që si mekanizëm mbrojtës, nëse nuk kanë argument, e kam marrë përgjigjen “këtu nuk është Amerikë”. Ne të gjithë e dimë që aty nuk është Amerikë, por dëshirojmë që ta bëjmë Kosovën një vend më të zhvilluar ekonomikisht dhe në nivel të demokracisë. Avantazhi i një programi të strukturuar, është që këta studentë nuk do të jenë të vetmuar pasi të kthehen në Kosovë, por janë pjesë e një rrjeti dhe në këtë mënyrë ata mund t’i kontribuojnë ndryshimit së bashku. Siç e dini, për ne, për shqiptarët në përgjithësi, sfidë nuk është ta gjejmë një shqiptar të suksesshëm, por t’i bëjmë bashkë dy të suksesshëm, dhe ne tentojmë që t’i bëjmë bashkë më shumë se dy të suksesshëm. Prandaj, është shumë e rëndësishme që një program, i cili ka filluar në vitin 2004 të vazhdojë më tej. Fatkeqësisht, tani jemi në fazën kur duhet të fillojmë një epokë të re, ku kërkohet mbështetje nga qeveria e Kosovës, nga qeveria amerikane dhe sektori privat e fondacionet, në mënyrë që të zhvillohet KAEF-i mëtutje.

 

Zëri i Amerikës: Për thithjen e këtyre dijeve të reja dhe mënyrës amerikane të të bërit të gjërave, ju e shikoni më të vështirë terrenin në sektorin publik, apo atë privat? Ka një mendim të përgjithshëm që është sektori publik ai që është më i vështirë për t’u çarë.

Qëndrim Gashi: E vërtetë, absolutisht sektori publik, për shkak se incentivat e funksionimit brenda janë të tjera. Në sektorin privat, tek e fundit, njësitë matëse të profitit janë mjaft të qarta. Në qoftë se nuk ka sukses, ndryshohet kursi. Kurse në sektorin publik janë të tjera parametra që funksionojnë. Dmth, e vërteta është që në sektorin publik është gjithmonë më vështirë, por megjithatë ka edhe bursistë të KAEF-it të cilët në mënyrë të suksesshme kanë kontribuar, edhe kontribuojnë në sektorin publik në Kosovë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>