Partitë opozitare bllokuan sërish punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë
Parlamenti i Kosovës u bllokua sërish të enjten nga deputetët e partive opozitare që hodhën edhe gaz lotsjellës, për të penguar punën e tij.
Në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje u tha se “gazi lotsjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër (Aleksandër) Jabllanoviqit. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne, por që nuk ka shpërthyer në ato protesta. Sot deputetët e përdorën atë bombolë“.
Partitë opozitare që në fillim bllokuan punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të fundit me Serbinë.
Ata bllokuan foltoren e parlamentit dhe i fishkëllyen kryetarit të tij Kadri Veseli i cili tha se 30 deputetë të opozitës që po e pengojnë punën e 90 deputetëve tjerë. Ai i bëri thirrje opozitës që “në vend se të bllokojë parlamentin të shkojë para qeverisë dhe të protestojë, pasi që qeveria ka nënshkruar marrëveshjet dhe jo parlamenti”.
Mes fishkëllimave deputetët e shumicës parlamentare miratuan disa ligje.
Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, ndërsa po bojkotojnë edhe punën e komisioneve parlamentare në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë.
Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë, lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo e fundit u shndërrua në mollë sherri në skenën e brendshme politike. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.
Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës
Partitë në pushtet ndërkaq po i bëjnë thirrje opozitës të lejojë debatin në parlament, duke tërhequr vërejtjen se bllokimi i punës së tij është shembull i dëmshëm për të ardhmen.
Vëzhguesit e pavarur po bëjnë thirrje për një dialog të brendshëm politike për tejkalimin e situatës së krijuar.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisë dhe partive opozitare ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel. (voa)