Gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës

Partitë opozitare sërish bllokuan seancën e parlamentit të Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës në mjediset e tij. Shumica parlamentare rifillio seancën rreth orës 14 e 30 pa praninë e opozitës.

gaz lotsjelles ne kuvendPartitë opozitare bllokuan sërish të hënën seancën e parlamentit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e partive opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës në sallën e mbledhjeve të parlamentit duke pamundësuar fillimin e saj.

Policia e Kosovës, shoqëroi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, pasi që tek ai u gjetën dy bombola, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.

Deputetët e opozitës hodhën gaz edhe në korridorin e parlamentit.

Pas disa orësh, deputetët e shumicës vazhduan seancën pa praninë e deputetëve të opozitës.

Parlamenti u mblodh dy ditë pas një operacioni të forcave të posaçme të policisë së Kosovës në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç ‘rast u arrestuan mbi 90 aktivistë të kësaj lëvizjeje, përfshirë këtu edhe deputetin Albin Kurti.

Opozita e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e policisë së Kosovës ditën e shtunë në selinë e lëvizjes Vetëvendosje për të arrestuar deputetin e saj, Albin Kurti, ndaj të cilit ditë më parë është lëshuar një urdhër arresti për shkak të veprimeve gjatë protestave të opozitës në parlamentin e Kosovës, kundër marrëveshjeve me Serbinë. Një gjykatë në Prishtinë i caktoi zotit Kurti masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Arrestimi i zotit Kurti të shtunën pasoi protestën e partive opozitare që bën thirrje për anulimin e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre, ndan Kosovën nga brenda si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas opozitës bën që Kosova të humb rreth 9 mijë hektarë tokë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të dielën se zgjidhjet për çdo shqetësim duhet të gjenden përmes dialogut në kuadër të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të vendit. Presidentja Jahjaga bën thirrje për vendosjen e dialogut politik ndërmjet të gjitha subjekteve politike të vendit, me qëllim të shmangies së përdorimit të dhunës dhe të imponimeve si mjet të zgjidhjes, që rrjedhimisht siguron rendin demokratik në vend.

Qeveria e Kosovës ritheksoi gatishmërinë për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Në një njoftim të qeverisë thuhet se ajo është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke siguruar ballafaqimin e argumenteve të Komisionit shtetëror dhe të opozitës.

Opozita, për më shumë se dy muaj ka bllokuar punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj këtyre marrëveshjeve. Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij, ndërsa protesta të përshkuara me përplasje të dhunshme kanë ndodhur edhe në rrugë.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>