Në Kuvendin e Kosovës edhe sot është hedhur gaz lotsjellës. Punimet u nërprenë ende pa nisur mirë seanca, gjatë së cilës duhet të shqyrtohen një sërë çështjesh, përfshirë këtu edhe miratimin e Buxhetit për vitin 2016.
10:46 Kryesia vendos nëse seanca do të vazhdojë pa opozitën
Pas ndërprerjes së seancës nga hedhja e gazit lotsjellës, me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pritet që Kryesia e këtij institucioni të vendos nëse mbledhja sërish do të vazhdojë pa opozitën, ashtu siç u veprua në seancën e 30 nëntorit.
10:39 Pa nisur mirë punimet në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryetari i tij, Kadri Veseli, shpalli pauzën, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës edhe sot.
Në sallë gjendeshin të gjithë ligjvënësit, kurse foltorja ishte rrethuar nga pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit të Kosovës.
10:22 Në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit kanë filluar të arrijnë.
Në mesin e tyre është edhe Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj të cilit autoritetet e rendit kanë shqiptuar masën prej arresti shtëpiak. Në Kuvend raportohet se është edhe ligjvënësi tjetër, Faton Topalli, gjithashtu nga VV dhe ndaj të cilit po ashtu ka masë prej arresti shtëpiak.
10:18 Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit ku pritet të mbahet seanca për miratimin e Buxhetit për vitin 2016.
09:57 Ky postim i fundit vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë përreth Kuvendit dhe brenda tij, duke përfshirë edhe kontrollin e hyrje – daljeve nga salla ku rëndom mbahen seancat plenare.
Zoti Kurteshi, për të cilin VV thotë se është dërguar sot për në Gjykatë, është njëri nga shtatë ligjvënësit ndaj të cilëve autoritetet e rendit kanë shqiptuar masa ndëshkimi për hedhjen e gazit lotsjellës në seancat e mëparshme.
Ditët kur Kadri Veseli thërret për seancë të Kuvendit, janë shndërruar në ditë policore:
– Ora 08:45, Policia arreston, në shtëpinë e tij, deputetin Ismajl Kurteshi për ta dërguar në Gjykatë.
– Ora 09:00, Policët civilë mbikëqyrin vazhdimisht zyrat e grupeve parlamentare të opozitës.
– Ora 09:15, Policia nuk lejon deputetët e opozitës që të futen në Kuvendin e Kosovës, duke dashur që të kontrollojë ata detajisht.
Një qeveri që me polici përpiqet të shtyp opozitën, është qeveri jolegjitime.
09:52 Autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë përreth dhe brenda objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kontrolluar çdo hyrje – dalje nga ky institucion ligjvënës.
Seanca është paralajmëruar të fillojë në orën 10:00.
09:36 Në rast të mos-miratimit të buxhetit, autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të mund të vihet në rrezik një kredi prej 185 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por, opozita thotë se të dyja marrëveshjet e kontestueshme për të, rrezikojnë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës.
09:28 Në më shumë se dy muajt e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që të trija në opozitë, kanë penguar punimet në Kuvend, duke hedhur gaz lotsjellës, vezë dhe duke bllokuar foltoren e këtij institucioni ligjvënës.
Autoritetet e rendit deri më tash kanë shqiptuar masa ndëshkimi me arrest shtëpiak dhe paraburgim për shtatë ligjvënës nga radhët e opozitës.
Në videon e mëposhtme mund të shikoni një përmbledhje të shkurtër se si është dukur Kuvendi në dy muajt e fundit.
09:24 Në Prishtinë sot pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën, veç tjerash, planifikohet të miratohet Buxheti për vitin 2016.
Nuk është ende e qartë se si do të mbahet seanca e sotme, duke pasur parasysh se subjektet politike në opozitë vazhdojnë ta pengojë mbajtjen e seancave, në shenjë të protestës për nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë anulimin e këtyre marrëveshjeve, ndërkaq Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë këto kërkesa, duke e ftuar opozitën që çështjet e kontestueshme për të t’i diskutojë në Kuvend. (rel)