Gërvalla në OKB: Serbia donte të na zhdukte nga harta

DonikaKa përfunduar seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën është prezantuar raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

 

Gërvalla në OKB: Babi im është vrarë nga Serbia

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, para se të përfundojë seanca iu kundërpërgjigj, ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq.

Gërvalla tha se baba i saj është dëbuar për Gjermani nga Serbia dhe është vrarë nga Serbia. “Shkëlqesi nuk desha të ju mërzisë me sulmet personale, por nuk mund të kaloj këtë. Z. Selakoviq nuk mund të më thërras me mbiemrin tim. Schwarz është mbiemri i burrit tim. Ka qenë Beogradi që ka dëbuar babain tim, ai ka qenë gazetar, këngëtar dhe shkrimtar, është vrarë nga Shërbimi i Sigurisë së Serbisë, është vështirë të përmendet ky mbiemër, është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë. Do të mund të shpenzoja shumë kohë, por nuk do ta bëja sepse e respektoj këtë organ të nderuar që merret me luftën dhe paqen”, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se Pavarësia e Kosovës është e kryer dhe se Serbia duhet të njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

“Kosova është vend i vogël, po shumë i posaçëm. Jemi vend vërtet evropian, jemi me tolerant të pathyeshëm, por me krenari. Kosova ka lindur nga gjenocidi, Serbia bashkë me Millosheviqin e Vuçiqin,  kanë dashur të na zhduknin nga harta, me mbrojtësit tanë trima, luftëtarët tanë të UÇK-së, me ndihmën e NATO-s, me heroizmin e grave, si i kemi mbrojtur fëmijët tanë kur na kanë djegur fshatrat, dhe kemi arritur të mbijetojmë. Si është ruajtur dinjiteti kur jemi detyruar të ikim drejt maleve. Nuk jemi dorëzuar asnjëherë. Forcat serbe na kanë vrarë, na kanë përdhunuar”, tha ajo.

Gërvalla ka thënë se Vuçiqi ka arritur të riciklojë nga plani i dikurshëm serb për ‘Serbinë e Madhe’, planin e ri të Botës Serbe. Madje ajo ka krahasuar ‘ Botën Serbe”, me “Botën Ruse”.

 

Gërvalla në OKB: Serbia është bërë kërcënimi i dytë për Evropën

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka prezantuar qëndrimet e Republikës së Kosovës sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është prezantuar raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

“Republika e Kosovës është demokracia me re në Evropë dhe është në rrugën e duhur. Në vitin e kaluar kemi pasur rritje ekonomike rekorde me mbi 10 %, dhe rritje të të hyrave tatimore”, tha ajo, raporton RTKlive

Sipas saj Kosova është në rrugën e saj për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës. “Kosova do të aplikojë edhe për anëtarësim në BE, aspirojmë të jemi anëtare e NATO-s”, tha ajo.

Gërvalla përmendi kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës. “Pse Vuqiçi flet për luftën, nga vjen kjo. Një koleg i imi ishte i befasuar kur mori vesh se Vuçiqi kishte qenë ministër i Propagandës serbe. Ai është i njohur për gjenocidin serb në  Bosnjë, ku mijëra civil ishin vrarë atje”, theksoi ajo.

Ministrja Gërvalla tha se bota e di se kush ka kryer gjenocid në rajon. “Serbia ka marrë pjesë me 100 manovra ushtarake së bashku me Rusinë, personeli ushtarak rus punon direkt me Ministrinë e Rusisë, Serbia pas Rusisë është bërë kërcënimi i dytë i Evropës”, tha ajo.

 

Franca mbështet dialogun

Përfaqësuesja e Francës në OKB, Nathalie Broadhurst ka përgëzuar dy vendet Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjet dhe dialogut.

Ajo ka kërkuar të respektohen dhe implementohen të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar nga dy vendet.

Mbretëria e Bashkuar kërkon rishikimin e misionit të UNMIK-ut

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Fergus Eckersleysot ka kërkuar që të rishikohet misioni i UNMIK-ut në Kosovë.

Sipas tij Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet jetik.

Ai në seancën e sotme ka thënë se rrethanat e sotme janë të papara ndonjëherë.Gjithashtu, ai shtoi se Kosova duhet të përgëzohet për punën në sundimin e ligjit.

“Ne përgëzojmë Kosovën për punën në sundimin e ligjit. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet jetik. Tani është çasti për të dy palët që të angazhohen në dialog dhe t’i shmangen retorikave që nuk çojnë drejt marrëveshjeve. Progresi i Raportit, shembull marrëveshja për energji është e mirëseardhur dhe vendimi për marrëveshjen dhe targat dhe ID-të s’duhet të përdoret si arsye për dhunë dhe bllokim. UNMIK ka luajtur rol të mirë në zbatimin e rezolutës 1244 dhe kushtet në terren janë ato që nuk njihen që nga 1999 dhe duhet të bëhet një rishikim i plotë i misionit të OKB-së”, tha ai.

Sipas tij Raportet e fundit si nga BE ashtu edhe nga OSBE tregojnë gjithashtu përparim të mirë në luftën kundër terrorizmit, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe themelore.

“Ne mirëpresim angazhimin e shtuar të qeverisë me komunitetet pakicë. Dialogu ndërmjet komuniteteve është jetik për stabilitetin e Kosovës si shtet multietnik dhe ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që të vazhdojë një angazhim të tillë”, tha ai.

 

Hoxha: Rezoluta e OKB-së për Kosovën nuk ka logjikë për këtë kohë

Ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, tha se Kosova është pjesë e botës demokratike duke dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe Kosova ka ndihmuar në këtë drejtim Ukrainën. Sipas tij rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara nuk përputhet me realitetin që është tani në Kosovë. “Nuk ka logjikë më ajo rezolutë. UNMIK-u nuk e ka misionin që e ka pasur në atë kohë, ftojmë OKB-në ta ndryshoj atë. Ka shumë gërshetime në mes të UNMIK-ut dhe OSBE-së”, tha ai. Hoxha ka përmendur edhe sulmet që janë bërë në këtë vit ndaj Policisë së Kosovës.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbështetjen tonë të plotë dhe të parezervë dhe u bëjmë thirrje palëve ta përshpejtojnë atë. Ne mirëpresim takimin e fundit në Bruksel, duke rivendosur kontaktet e nivelit të lartë mes palëve, të cilat, ndër të tjera, çojnë në një marrëveshje për lirinë e lëvizjes. Gjithashtu presim që të zbatohet sa më parë Udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energjinë si dhe çështjet e targave të makinave. Ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, por janë gjithashtu hapa të rëndësishëm për rritjen e besimit në trajtimin e çështjes thelbësore: një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve që çon në njohje reciproke”, tha ai.

Ambasadori Hoxha ka folur edhe për problemin e pronave dhe adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe ka ftuar Serbinë të respektojë të drejtat e njeriut.

 

ShBA: UNMIK-u e ka tejkaluar rolin e tij, Kosova ka zhvilluar e përforcuar institucionet e veta

Diplomati amerikan në OKB Robert Wood, tha se SHBA mbështet rrugën evropiane të Kosovës. Sipas tij duhet të ketë angazhim për njohje reciproke.

“Dua të filloj duke riafirmuar angazhimin tonë për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë kësaj kohe tensionesh më të mëdha në Evropë të shkaktuara nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me partnerët tanë evropianë për të nxitur shoqëritë paqësore dhe multietnike, përveç forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha ai.

Sipas tij Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, si dhe rrugët evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Angazhimi serioz dhe urgjent ndërmjet palëve në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja është i nevojshëm për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke. Dua të përgëzoj angazhimin e Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak me të dy palët. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara ngushtë me të dhe partnerët tanë evropianë në mbështetje të Dialogut. Nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosova miratuan një Udhërrëfyes për Energjinë dhe zgjidhën në mënyrë paqësore çështjet e dokumenteve të daljes dhe hyrjes në kufijtë e tyre. Shpresojmë që të arrihet një konsensus i ngjashëm për dhënien dhe njohjen e targave. Ne gjithashtu inkurajojmë zbatimin e hapave të përshkruar në Udhërrëfyesin e Energjisë dhe diskutimin serioz për themelimin e mundshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne nuk mund të theksojmë mjaftueshëm nevojën për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është një komponent kyç i kësaj. Ne inkurajojmë fuqishëm Serbinë dhe Kosovën që të mbajnë tensionet e ulëta duke u fokusuar në përparimin e dialogut dhe duke shmangur retorikën nxitëse. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë për të zbatuar Udhërrëfyesin e rënë dakord për Energjinë dhe për të shmangur tensionet për targat,” tha ai.

Sipas tij Dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë mekanizmi kryesor për pajtimin e çështjeve ndërmjet dy fqinjëve, gjë që e ka bërë rolin e UNMIK-ut në rajon gjithnjë e më të tepërt.

“Siç e kemi thënë shumë herë më parë në këtë dhomë, UNMIK-u prej kohësh e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përshkruar në mandatin fillestar. Mos bëni gabim: UNMIK-u luajti një rol kritik dhe të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën. Megjithatë, Kosova, me ndihmën e partnerëve të saj evropianë, ka zhvilluar dhe forcuar institucionet e saj për të marrë përsipër shumë nga përgjegjësitë dikur nën juridiksionin e UNMIK-ut. Këto informime nuk kanë më nevojë të mbahen në baza gjashtëmujore dhe duhet të reduktohen në takime vjetore. Jemi të zhgënjyer që Këshilli nuk ka lëvizur drejt perëndimit të diellit të UNMIK-ut duke përfshirë zhvillimin e një plani për mbylljen e misionit. Ky Këshill ka prioritete shumë më të ngutshme për të adresuar dhe burimet e tij janë të kufizuara. Ne i bëjmë thirrje Këshillit të ndërmarrë hapa që do të mundësonin një rol më produktiv dhe më të rëndësishëm për OKB-në në Kosovë që do të lehtësonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë mënyrë do të ndihmonte avancimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

 

Seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Ka filluar seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po prezantohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, po prezanton raportin. Sipas saj që nga pranvera ka pasur disa përshkallëzime dhe tensione akute në terren të cilët kërcënojnë që të shtyhet mbrapa në dialogun e mbështetur nga BE. Ajo ka folur edhe për çështjen e vizave për Kosovën nga BE-ja. “Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar në adresimin e çështjeve kritike në lidhje me sundimin e ligjit; përpjekje që  presim të jenë vërejtur nga shtetet anëtare evropiane që peshojnë qëndrimet e tyre për regjimin e vizave dhe të udhëtimit për popullin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë për të mbështetur një të ardhme më të mirë për Kosovën. Qëllimi i UNMIK-ut është që të kontribuojë në efekte pozitive. UNMIK angazhohet për krijimin e mundësive për të promovuar atmosferë të të drejtave të njeriut etj”, tha ajo.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila do të prezantojë qëndrimet e Republikës së Kosovës.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>