Kryetarja e LDK-së për Gjermani, Donika Gërvalla, ka shkruar se asnjë organ i LDK-së nuk është pyetur kur Isa Mustafa i ka premtuar Hashim Thaçit postin e presidentit.
Lexoni të plotë postimin e saj në Facebook:
“Thaçi president? Pse Ismet Beqiri mashtron LDK-në dhe opinionin
ASNJE organ i LDK-së nuk është pyetur kur Isa Mustafa i ka premtuar Hashim Thaçit postin e presidentit.
ASNJE organ i LDK-së nuk e ka votuar këtë marrëveshje.
ASNJE votim të kësaj natyre nuk ka pasur në grupin parlamentar të LDK-së.
Ky ka qenë vendim arbitrar VETEM i Isa Mustafës dhe „shoqëruesve“ të tij.
E gjitha kjo u realizua si një puç kundër LDK-së, parimeve dhe traditës së saj, kundër Kryetarit të parë të LDK-së dhe Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe elektoratit besnik të LDK-së.
Ismet Beqiri e mashtron LDK-në dhe opinionin kur përpiqet të krijojë përshtypjen që premtimi i dhënë Thaçit pë ta bërë president, na qenka vendim i „organeve të LDK-së“. Asnjëherë nuk është marrë një vendim i tillë nga asnjë organ i LDK-së. Rrjedhimisht asnjë deputet nuk ka nevojë t’i nënshtrohet një vendimi që nuk është marrë kurrë.
Si përfundim: deputetët e LDK-së i detyrohen vetëm ndërgjegjes dhe votuesit të tyre. Anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, votuesit e saj, në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë që Hashim Thaçi të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës. Ata nuk duan që një person i dyshuar si në Kosovë, ashtu edhe në botë, të bëhet „i pari“ i Kosovës. Ata duan që ai të përgjigjet para drejtësisë. Nëse deputetët nuk e dijnë se cili është vullneti i atyre që iu kanë dhënë votën për t’i përfaqësuar në Kuvend, atëherë kanë mjaft kohë për të shkuar dhe për të marrë mendimin e elektoratit”. (sic). /Telegrafi/