Gjashtë kushtet e Kurtit për krijimin e Asociacionit

AlbinNë seancën e Kuvendit, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme ta pranojë Asociacionin, sipas marrëveshjes së vitit 2013. Megjithatë, ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe që paraprakisht të shuhen strukturat ilegale, dhe se një Asociacion i tillë, të krijohet pas njohjes reciproke.

 

Ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, të mos mundet të bartë asnjë pushtet publik dhe ekzekutiv dhe t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave.

Për këtë arsye, ai paraqiti gjashtë pika në lidhje me këtë cështje, e që sipas tij, duhet të jenë:

  1. Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës
  2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
  3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
  4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.

 

Abdixhiku: Mirë që Kurti i pranon marrëveshjet ndërkombëtare

2 shkurti është data kur kryeministri Kurti pranoi formimin e Asociacionit. Kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij si deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk thashë mirë a keq, por kryeministri e tha që marrëveshja e 2013 do të inkorporohet në marrëveshje. Kjo qasje e tij, jo që ka ndikuar në diçka të mirë”, tha Abdixhiku, sipas të cilit,  mirë që Kryeministri i pranon marrëveshjet ndërkombëtare.

“E ke mbështetjen e LDK-së për dialog me njohje qendër dhe jepi rrugë”, tha ai.

Por  kryeministri Kurti i replikoi Abdixhikut.

“Nuk e thashë një kusht, por i thashë gjashtë”, tha Kurti, sipas të cilit, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

 

Tahiri: Qeveria të reflektojë për marrëdhëniet me SHBA-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga  Qeveria, që të reflektojë karshi  bashkëpunimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur së fundmi me Serbinë.

Ai deklaroi se duhet rishikuar se si është e mundur që situata ka ardhur në këtë situatë, kur SHBA komunikon dhe lavdëron Serbinë për bashkëpunim.

Ndërkohë, Tahiri ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij, për rritjen e pagës pas caktimit të koeficientit.

“Lexuam një raport shqetësues të ambasadorit kosovar në Amerikë, një raport që tregon gjendjen e mjerueshme të ambasadorit dhe trajtimin e tij brutal nga Amerika”, tha Tahiri.

“Shtrohet pyetja se çka e ka sjellë një brutalitet të tillë të Amerikës ndaj ambasadorit të Kosovës atje. Si kemi arritur të vihemi në pozita të tilla?”.

Ai ka thënë se zbritja e pagës së profesorit, gjyqtarit e prokurorit është e papranueshme.

 

Basha: Të arriturat e Qeverisë njihen edhe nga raportet ndërkombëtare

Deputeti Dimal Basha, duke folur në emër të Vetëvendosjes, përmendi të arriturat e Qeverisë aktuale.

Ai tha se duke u bazuar në punën e Qeverisë Kurti, Kosova ka shënuar progres në raportet e ndryshme ndërkombëtare.

Mes tjerash, ai përmendi luftën kundër korrupsionit e gjithashtu edhe sa i përket krimit të organizuar.

Duke u bazuar në arritje të tilla, Basha tha se tashmë është garantuar edhe liberalizimi i vizave dhe se të arriturat e ndryshme janë të njohura edhe nga politikanët e ndryshëm evropianë. 

 

AAK i kërkon Qeverisë të merret me shëndetësi

Duke folur për situatën në shëndetësi, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se gjendja në këtë sektor nuk ka qenë asnjëherë më keq.

Ajo deklaroi se vetëm janë Qeverinë Kurti mund të gjesh raste kur i njëjti person emërohet tri herë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ajo tha se Qeveria nuk duhet të merret me populizëm por të merret me përmirësimin në shëndetësi.

 

LDK kërkon që koeficienti i pagave të jetë 125 euro

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se kjo parti, do të paraqesë amendamente për Ligjin e Pagave.

Ajo tha se në realitet, me koeficientin prej 105 eurosh për pagat e shërbyesve civil, ka rritje nominale të pagave, por jo rritje të vërtetë.

Për këtë arsye, ajo tha se LDK-ja do të kërkojë amendamentimin e ligjit, në mënyrë që koeficienti të jetë 125 euro.

Sipas saj, me këtë koeficient, kostoja vjetore e do të ishte 120 milion euro në vit.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>