Gjithçka që duhet të dini për të studiuar jashtë vendit

StudentetBesart Bajrami- Të shkosh përtej kufijve drejtë një eksperience të re, mund të jetë zgjidhje për krizat ekzistenciale pas-tinejxherë; të gjesh veten në ambiente të ndryshme është po aq sfiduese sa edhe e guximshme.

E në çfarë mënyre tjetër mund ta bësh më mirë këtë, përveç se të zgjedhësh një lokacion në hartë dhe të fillosh kërkimet për programe shkëmbimi në universitete të cilat ofrojnë alternativa të tilla. Kështu, përditshmëria e mërzitshme dhe prindërit që ndërhyjnë në jetën tuaj, ndonëse me qëllimin më të mirë për ju, do të përfundojnë. Një aventurë e këndshme ju pret në anën tjetër, rast të cilit i përshtatet edhe thënia: “bari është më i gjelbër jashtë oborrit tuaj”.

Pse të studiosh jashtë vendit?

Shumë njerëz mund të mos e shohin të arsyeshëm kalimin nëpër procese të lodhshme, që në fund të përfundojnë në një ambient të çuditshëm, me njerëz të panjohur të cilët nuk dinë as edhe një gjë të vetme për ju!A është më e vlefshme diploma apo në fakt vetë eksperienca është e një lloji të veçantë? Pikërisht.

• Të studiosh jashtë vendit është mënyrë e volitshme për të mësuar gjuhë të huaj
• Të studiosh jashtë vendit të ofron mundësi për udhëtime të shumta
• Të studiosh jashtë vendit do të thotë të fitosh njohuri nga afër për kultura tjera
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në zhvillimin e aftësive të reja, e gjithashtu të ofron eksperiencë që nuk do të mund ta fitoje në asnjë lloj klase-mësimi në vendin tënd
• Të studiosh jashtë vendit të jep mundësi të krijosh shoqëri nga vende të ndryshme të botës
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon të njohësh veten më thellësisht
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në zgjerimin e botëkuptimeve tuaja
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në ndryshimin përditshmërisë akademike
• Të studiosh jashtë vendit do të rris mundësitë për punësim
• Të studiosh jashtë vendit do të shtoj vlerën e diplomës suaj

Ku të studioni?

Vetëm qielli mund të jetë kufi kur jeni duke vendosur të studioni jashtë vendit dhe kjo e bën procesin e vendimmarrjes edhe më të vështirë.
• A jeni duke ndjekur diversitetin kulturor, apo jeni pas një metropolisi të zhurmshëm që nuk pushon kurrë?
• A jeni duke u munduar të gjeni anën shpirtërore apo më shumë argëtim?
• A frikësoheni të jeni vetëm apo në fakt vlerësoni qetësinë dhe paqen?

Zakonisht, njerëzit ndjekin të kundërtën e asaj që u ofrohet në vendin e tyre, e sidomos kur duan të jenë pjesë e programeve për studim jashtë vendit. Në një moshë të caktuar ndjehet më shumë nevoja për ndryshim.

Gjermania po bëhet një prej vendeve më të dëshiruara për studentët e vendeve të ndryshme të interesuar për shkëmbim. Ky vend përmban universitete të nivelit botëror, histori të bujshme dhe perspektiva tërheqëse mbi mënyrën e jetesës. Njerëzit në Gjermani janë të afërt, por, edhe të vëmendshëm ndaj punëve të veta; pagesa mujore e qirasë është e lirë dhe kostoja e jetesës e përballueshme.

Berlini, si kryeqytet, është ikonë kulturore dhe mbledh njerëz nga e gjithë bota për të shijuar përsosshmërinë e tij. Në anën tjetër, sistemi i edukimit gjerman është joshës për çdo student të huaj, pa marrë parasysh prejardhjen.

Ndërsa, të studiosh në SHBA është mjaftë e vështirë për shkak të shtrenjtësisë, edhe pse ekziston numër i madh i mundësive për bursa që do të zbusnin këtë problem. Megjithatë, këto bursa duhet t’i fitoni në mënyrë të pavarur, dhe jo të gjithë mund të fitojnë.

Amerika si vend i mundësive dhe fillimeve të reja, është përplot jetë, energji dhe rreziqe – gjëra të cilat e bëjnë vend ideal për ata që janë të apasionuar ndaj këtyre rreziqeve.

Gjithashtu, në qoftë se nuk flisni rrjedhshëm gjuhën angleze, ky është momenti i artë që ta ndërroni këtë fakt, dhe të njoftoni njerëz të ri me pikëpamje të ndryshme për çështjet që ju interesojnë.

Të studiosh dhe të punosh në të njëjtën kohë, është ëndrra amerikane.

Në rast se jeni më të orientuar kah kultura, klasa dhe eleganca, atëherë Parisi do të ishte vendi ideal për ju. Megjithatë,Franca ka më shumë se Parisin.

Për nga sasia, do të befasoheshit nga numri i vogël i universiteteve prestigjioze, mirëpo, për sa i përket kualitetit…

Jetesa është porsi në filma të vjetër, të cilët aq shumë dëshirojmë t’i shikojmë, shëtitjen rrugët prej kalldrëmi, duke shijuar verë, djathëra dhe takime të ndryshme mund të tingëllojnë si më pak të rëndësishme, por në fakt luajnë rol mjaft të rëndësishëm. Në Francë, nuk do të mërziteshit asnjëherë, e aq më pak në qoftë se dini si të argëtoheni dhe të menaxhoni buxhetin tuaj.

Edhe Anglia mund të jetë një aventurë e këndshme, edhe pse do t’ju duhet të dëgjoni theksin e tyre të ndryshëm. Përveç Londrës së famshme, ka edhe shumë vende e gjëra të tjera për të parë në Angli. Ndërkaq, të studiosh në Angli mund të jetë paksa e ndërlikuar për shkak të proceseve komplekse të aplikimit. Po të pranoheni, nuk do të pendoheni në asnjë mënyrë!

Për shkak të traditës së lashtë e të pasur në dalje të ekspertëve nga shkollat angleze më prestigjiozet në botë, si student shkëmbimi duhet të ndjeheni të nderuar nga një rast i tillë, nga i cili do të mund të fitoni shumë. Provoni të nxirrni më të mirën, pasi që në këtë vend,koha ikën shumë shpejtë.

Studimi në Spanjë pa dyshim se do të jetë shkundje kulturore, pa marrë parasysh nga vini. Para së gjithash, ju do të keni rast të përvetësoni gjuhën më poetike. Njerëzit janë të afërt e mikpritës, ndërsa pagesat semestrale janë shumë të volitshme. Arti lulëzon në rrugët e Barcelonës e Madridit, por do t’ju ndjekë ngado që shkoni brenda Spanjës së bukur. Shkencat humane janë më të popullarizuara, prandaj në qoftë se jeni duke menduar të studioni shkencat shoqërore, Spanja është vendi më i përshtatshëm për ju.

Ngaqë, pritjet dhe interesat variojnë duke qenë personale, ja një vrojtim tëvendeve të huaja për studim të cilat janë në trend kohëve të fundit.

Si të studioni jashtë vendit?

Të shkoni në vend të huaj për të studiuar nuk është edhe aq e vështirë. Ekziston renditje kronologjike e gjërave që kërkojnë kujdesin tuaj, mirëpo për një kohë shumë të shkurtër mund të gjendeni në qytetin e ëndrrave tuaja. Nëse Evropa është targeti juaj, së pari duhet të siguroni vizën Schengen që të keni qasje në vendin për të cilin jeni përcaktuar. Megjithatë, ky hap nuk është i aplikueshëm për të gjithë. Fillimisht,shikoni dhe vërtetoni çfarë aplikohet për nënshtetësinë tuaj. Para se të bëni plane të mëtutjeshme, informohuni rreth kushteve dhe procedurave të aplikimit për Schengen vizë.

Për Amerikë kërkohet vizë studentore që të hyni ligjërisht në vend; ka disa kushte të caktuara të cilat duhet të plotësohen para se të aplikoni.

Megjithëse, këto procedura burokratike vijnë më vonë. Që të studioni jashtë vendit, në fillim aplikoni në programin adekuat, pastaj përzgjidhni universitetin dhe prisni përgjigjen, më saktësisht letrën e pranimit. E gjithë kjo mund të bëhet nga kompjuteri personal.

Pasi të përfundoni të gjitha procedurat zyrtare që janë në përputhje me qeverinë, mund të filloni kërkimin e vendbanimit të përshtatshëm e të përballueshëm në vendin e huaj. Vendbanim i juaji mund të jenë konviktet universitare apo apartamentet private. Keni parasysh të bëni zgjedhjen e duhur pasi që nuk do të jetë e lehtë të barteni nga një vendbanim në tjetrin.

Qëndrimi në bujtinë në ditët e para derisa të përcaktoheni, është ide e mirë. Ose,qëndroni tek ndonjë i njohur apo familjar deri sa të gjeni apartamentin që përmbushë standardet e juaja.

Si të financoj studimet jashtë vendit?

Pikë së pari, aplikoni online për bursë dhe angazhohuni që të fitoni bursën. Së dyti, mund të aplikoni për kredi studentore në bankën që ofron kushtet më të mira për ju. Këtë kredi do të mund ta paguani pasi të mbaroni studimet. Me siguri kjo shumë nuk është e mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e jetës, megjithatë është më mirë se aspak.

Përndryshe, në shumë vende ju lejohet të punoni përgjatë studimeve. Puna me orar të shkurtuar që nuk kërkon shumë vëmendje ju lejon të përqendroheni në studime, të cilat padyshim se janë prioriteti juaj. Paga, në shumicën e vendeve është minimum i pagave që ekzistojnë, mirëpo, mund t’ju ndihmoj në ngarkesën tuaj financiare.

Çfarë mund të ndodh përderisa studioni jashtë vendit?

Shumëçka mund të ndodh përderisa jeni duke studiuar jashtë vendit, prandaj nëse nuk jeni të vëmendshëm, gjërat mund t’ju dalin nga kontrolli. Mbi të gjitha,ndryshimi i ambientit mund të ndikoj drejtpërdrejtë në shëndetin tuaj,e spitalet në vendetë zhvilluara janë shumë të kushtueshme. Për këtë arsye, anëtarësimi në sigurim shëndetësor është shumë i nevojshëm.

Duke qenë të rinj, jeni edhe të pavetëdijshëm ndaj shumë pasojave – kjo është e pranueshme, në të kundërtën koncepti i të mësuarit do të ishte koncept krejtësisht i pavend!Mosvetëdijësimi në këtë rast është ekuivalent me mungesën e eksperiencës. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të jeni të pakujdesshëm, veçanërisht në një ambient krejt të ri e përplot të huaj.

Mos harroni se jeni aty që të mësoni dhe të argëtoheni; dy gjëra të cilat qëndrojnë përkrah njëra-tjetrës. Nëse neglizhoni njërën, do të humbni tjetrën. Pa mundim, nuk ka fitim! /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>