Gjykata Kushtetuese konstatoi se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në Kuvendin e Kosovës nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit. Në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të qeverisë së re të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e saj, konstatoi që dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata konstaton se “edhe mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit”. Në këtë mënyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u publikua pak orë para mesnate, i hap rrugën krijimit të qeverisë së re të Kosovës.
“Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 (Shpërndarja e kuvendit) të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.
Thaçi: Partitë të tregojnë pjekuri politike
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka mirëpritur presidenti i Kosovës Hashim Thaci, i cili ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, thotë presidenti Thaci. Sipas tij, “Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.
Vetëvendosja: Vendimi sjell revoltë qytetare
Nga ana tjetër vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është mirëpritur nga lëvizja Vetëvendosje. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, këtë vendim e ka quajtur “skandaloz”, ndërsa sipas tij, ky vendim do të shkaktojë “revoltë qytetare”. “Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme, që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë. Gjithçka më pak se 51 % e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, tha Glauk Konjufca.
Ambasada e SHBA-së ka kërkuar nga të gjithë që të respektohet vendimi i Gykatës Kushtetuese. “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.
Qeveria e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vet LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.
dw