Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për media në të cilën folën Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Aida Dërguti dhe Drejtuesi i Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, z. Glauk Konjufca.
Dërguti e hapi konferencën duke deklaruar se “Angazhimi i Qeverisë në shtypjen e zërave kundërshtues karshi marrëveshjeve të dëmshme për Republikën ka këtë bilanc: hyrja e dhunshme dhe bastisjet e shtëpive të deputetëve, me ç’rast edhe u arrestua në mënyrë të egër deputetja Donika Kadaj Bujupi, ishte fillimi i përndjekjes politike, që erdhi si pasojë e një deklarimi të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit menjëherë pas seancës së Kuvendit, , të cilët i cilësuan deputetët opozitarë si kriminelë dhe urdhëruan publikisht prokurorinë që të filloj përndjekjen e tyre. Si rezultat i kësaj, tashmë kemi 8 deputetë të përndjekur 3 në paraburgim me nga 30 ditë, një në paraburgim 48 orësh, 3 në arrest shtëpiak dhe një 1 me kallëzim penal. Ndërkohë që 19 aktivistë vazhdojnë të mbeten në paraburgim.”
Ajo tha po ashtu se “nuk ka ndodhur asnjëherë që një aksion i tillë të ndërmerret në raste të korrupsionit apo edhe ndaj strukturave paralele. ”
Në anën tjetër, Glauk Konjufca deklaroi që “Isa Mustafa dhe qeveria e tij, janë shndërruar në një institucion që e kontrollon drejtësinë dhe e përdor atë për përndjekjen dhe persekutimin politik të opozitës së bashkuar.”
Më pas, drejtuesi i Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s tregoi se si përmes arrestimeve të deputetëve të opozitës po shkelet edhe ligji për imunitet të deputetëve.
9 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!