Strategjia e Bankës Botërore në Kosovë është që të fokusohet tek kthimi i rritjes ekonomike, dhe nga kjo rritje të përfitojnë të gjithë, përfshirë të varfërit”- thotë Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein. Në një intervistë që i morëm pak ditë më parë në studion e Zërit të Amerikës, zonja Goldstein flet për disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova, si papunësia e madhe në radhët e të rinjve, tërheqja e investitorëve të huaj dhe procesi i privatizimeve.
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit shumë shqiptarë të Kosovës janë përpjekur të largohen nga vendi, gjë që tregon se njerëzit janë të dëshpëruar dhe të pashpresë pët ta ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre. Papunësia është jashtëzakonisht e lartë me të rinjve, rreth 60 për qind. Çfarë programesh ka Banka Botërore për të mbështetur vendin dhe qeverinë që të krijojë vende të reja pune për të rinjtë në Kosovë?
Ellen Goldstein: Kjo është një pyetje e shkëlqyer, sepse krijimi i vendeve të punës ka qenë përparësia jonë kryesore në Kosovë. Me të drejtë ju theksuat faktin e largimit të banorëve disa muaj më parë, por mendoj se kjo situatë tanë është stabilizuar dhe kjo për disa arsye: njëra është se situata politike është sqaruar tani dhe kjo krijon një lloj stabiliteti social; së dyti, mendoj që qeveria e re po tregon një interes të admirueshëm në kushtet ekonomike për familjet mesatare kosovare dhe është shumë e fokusuar tek reformat ekonomike, që do sjellin krijimin e vendeve të punës në Kosovë; tani, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj se si do ta mbështesë Banka Botërore: ne e kemi mbështetur Kosovën me një strategji dy-pjesëshe: pjesa e parë synon të përshpejtojë rritjen e sektorit privat dhe pjesa e dytë lidhet me trajtimin e sfidave të mjedisit dhe me menaxhimin e burimeve natyrore me të cilat ndeshet Kosova, që në fund të fundit minojnë rritjen ekonomike të vendit.
Kur flasim për shpejtimin e rritjes ekonmike, ne jemi fokusuar në zgjidhjen e problemeve të energjisë me të cilat përballet Kosova; me qëllim që të rritet dhe të gjenerojë vende pune, Kosova duhet të ketë një sistem energjetik që të funksionojë gjithmonë.
Aktualisht vendi ka një termocentral të vjetëruar, prandaj duhet të ketë një furnizues gjithëpërfshirës me energji. Kjo do të realizohet përmes një termocentrali të ri, përmes zhvillimit të formave alternative të energjisë, marrjes së energjisë nga fqinjët dhe së fundi, duke u përpjekur për përdorimin me efiçencë të energjisë.
Zëri i Amerikës: Banka Botërore është përpjekur ta ndihmojë qeverinë e Kosovës prej vitesh, që të tërheqë investitorë të huaj për ndërtimin e një termocentrali në vend. A prisni që ky projekt të realizohet së shpejti?
Ellen Goldstein: Nevoja për ndërtimin e një termocetrali të ri në Kosovë është shumë e madhe. Ndërsa përpiqemi për një strategji të re gjithëpërfshirëse për energjinë në Kosovë, duhen patur parasysh format e ndryshme të energjisë dhe shfrytëzimi i tyre siç duhet; ne themi me një hamendje optimiste, se në 20-25 vjet Kosova do të duhet të bazohet tek një termocentral i ri, i cili të shfrytëzojë burimet e bollshme të linjitit që ka vendi.
Zëri i Amerikës: Banka Botërore e ka ndihmuar Kosovën të përmirësojë renditjen e të bërit biznes. Megjithatë, vendi nuk po tërheq sa duhet vëmendjen e investitorëve të huaj. Për mendimin tuaj, përse kompanitë e huaja vazhdojnë të hezitojnë të investojnë në Kosovë?
Ellen Goldstein: Kosova, sigurisht, që është produkt i historisë së saj dhe ashtu sikurse pjesët më të mëdha të ish-Jugosllavisë, klima e biznesit është mediocre, krahasuar me standartet globale. Kosova, ashtu sikurse vende të tjera të botës, duhet të kenë standarte globale, jo ballkanike, apo evropiane.
Ne po e mbështesim Kosovë që të shohë sistematikisht kufizimet në mjedisin e biznesit dhe disa prej tyre janë burokratike; ato lidhen me procedurat e gjata, apo pengesa të tjera, që ja vështirësojnë operimin investitorëve. Të tjera lidhen me pasuritë fizike që ka vendi, me pajisjet energjitike, të drejtat e tokës dhe të pronësisë; po ashtu për t’u marrë në konsideratë janë reforma në sistemin e arsimit, për t’u siguruar që ky system të krijojë të rinj të kualifikuar.
Shohim që në vendet e Ballkanit Perëndimor, kur të rinjtë janë të kualifiuar kërkesa për krahë pune është shumë e lartë, qoftë brenda, apo jashtë vendit. Unë mendoj se të rinjtë kosovarë kanë një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Zëri i Amerikës:Procesi i privatizimit në Kosovë nuk po shkon siç duhet. Kam ndërmend me këtë rast privatizimin e Post Telekomit, të termocentralit të ri, apo sektori i minierave, si Trepçja, një pasuri e vërtetë e vendit, e cila ende nuk është duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit. Sipas mendimit tuaj, përse Kosova nuk po bën përparim në privatizimin e kompanive të mëdha?
Ellen Goldstein: Si term, privatizimi shpesh bëhet burim debati në vende të ndryshme. Kritike për një vend, fillimisht është që të ketë një debat të shëndetshëm lidhur me pronësinë. Përsëri, të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë trashëguan ndërmarrje shtetërore dhe prona shoqërore, të cilat kur janë ekspozuar në ekonominë e tregut dhe që kanë produktivitet shumë të ulët. Është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, që të fokusohen tek çështja e efikasitetit ekonomik. Nuk është thjesht çështje privatizimi.
Është çështja që t’i shtohen vlera ekonomisë. Shumë nga këto ndërmarrje nuk janë duke shtuar vlera, por në fakt janë duke i marrë vlera ekonomisë. Në fakt, ato janë duke gjeneruar humbje të mëdha, që u kushtojnë taksapaguesve shumë para. Prandaj, është shumë e rëndësishme të arrihet një konsensus lidhur me çështjen se çfarë ja shton vlerat ekonomisë, në se është energjia, apo uji; në se nuk janë efiçente, ato duhet të funksionojnë mbi kriteret e performancës; ato duhet të monitorohen rregullisht, që publiku të kuptojnë se çfarë vlere merr nga taksat që paguan.
Zëri i Amerikës: Kosova mbetet vendi më i varfër në Europë. Si po e ndihmon atë Banka Botërore të pakësojë varfërinë?
Ellen Goldstein: Me më pak se 4 mijë dollarë për frymë, Kosova ka të ardhura 20 për qind më pak se sa vendet e BE-së. Me qëllim që të ketë mirëqenie, Kosova duhet të arrijë tek standartet e jetesës së BE-së. Kjo do të thotë që ekonomia e Kosovës duhet të rritet me shpjetësi. Strategjia e Bankës Botërore është që të fokusohet tek kthimi i rritjes ekonomike, dhe nga kjo rritje të përfitojnë të gjithë, përfshirë të varfërit.
Banka Botërore ka një portofolio prej rreth 130 milionë dollarësh, që e ve në zbatim në disa operacione të ndryshme, si në enegji, në arsim, të drejtat e pronsësisë dhe të biznesit. Ne përpiqemi të sjellim edhe degët e tjera të Grupit të Bankës Botëror, si Korporata Ndërkombëtare e Financimeve, që është krahu i sektorit privat të Grupit, që të mund të investojnë direkt në ndërmarrjet private në Kosovë.