Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, tha se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë besuar në një marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetin social twitter, ai u shprehu mbështetje synimeve evropiane për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.
“Jemi të kënaqur të shohim se Evropianët do të mbajnë një takim me 10 korrik për diskutime të mëtejme me Kosovën dhe Serbinë. Ne u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre. Shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave të përmbyllet në këtë takim”, shkroi ai.
Të premten me 10 korrik, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojnë një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.
Planet evropiane për rifillimin e bisedimeve dolën në pah pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi i akuzave bëri që të anulohet takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, i cili paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.
“Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të vënë theksin te normalizimi ekonomik midis palëve sepse besojmë që është hapi i parë thelbësor për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje politike afatgjatë”, shkroi ai duke shfaqur shpresën se evropianët do të sigurojnë zbatimin e marrëveshjeve për linjat ajrore, hekurudhore dhe rrugore, të cilat u ndërmjetësuan nga zoti Grenell në fillim të këtij viti. Ai shfaqi besimin se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë.
“Në kurrë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë vit zgjedhjesh. Dhe kurrë nuk kemi menduar që përqendrimi ynë vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë”, shkroi zoti Grenell duke nënvizuar se çështjet e vështira dhe afatgjata politike do të jenë më të lehta për t’u zgjidhur pasi të jetë shënuar përparim së pari në çështjet ekonomike.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të provojë ide të reja dhe krijuese nëse ndonjëherë duam të arrijmë përparim. Dhe populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropës”, tha zoti Grenell.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga vjeshta e vitit 2018 kur qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Procesi i bisedimeve u pezullua meqë Beogradi kushtëzoi kthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e tarifave. Qeveria e Kosovës i rezistoi trysnisë ndërkombëtare për heqjen e tyre.
Më 31 mars të këtij viti ish kryeministri Albin Kurti vendosi heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, një vendim që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara që kërkonin heqjen tërësishme të pengesave për rifillimin e bisedimeve.
Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, qeveria e re e kryeministrit Hoti hoqi të gjitha pengesat për rifillimin e bisedimeve.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
voa