Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të enjten se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në fillim të javës mori mandatin për formimin e qeverisë së Kosovës dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“Është shumë e rëndësishme që nëse duam përparim në zhvillimin ekonomik, tarifa prej 100 për qind duhet të hiqet. Kjo është diçka që duhet të ndodhë në të njëjtën kohë kur Serbia duhet të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, tha ambasadori Grenell, duke nënvizuar se këtë mesazh do të transmetojë edhe në Beograd ku pritet të qëndrojë të premten.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Diplomatët presin që qeveria e re e Kosovës të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve.
Por, Kosova ende nuk ka një qeveri pas zgjedhjeve të parakohshme të tetorit të vitit të kaluar.
Ambasadori Grenell tha se nuk do të përfshihet në procesin e ngritjes së qeverisë, por është i përkushtuar për zhvillimin ekonomik. krijimin e vendeve të punës dhe sjelljen e bizneseve evropiane dhe amerikane në Kosovë.
Zoti Grenell i cili arriti të mërkurën mbrëma në Kosovë, tha se “presidenti Donald Trump është veçanërisht i përqendruar për zgjidhjen e këtij problemi, jo duke shikuar prapa, jo vetëm duke shikuar argumentet e vjetra. Ne duam të përparojmë në këtë rajon, në Kosovë, të kemi zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë këtë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të kenë punë dhe ardhmëri të ndritshme. Ajo që po përpiqem të bëj është që të shoh tërë këto çështje që kanë ndikim ekonomik”.
Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.
voa