Haga kundërshton presidentin Hashim Thaçi

HashimSipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar propozimet e presidentit Thaçi për ndryshime kushtetuese rreth mandatit të Gjykatës Speciale, synojnë e kanë për qëllim zhbërjen apo zhvleftësimin e Prokurorisë së Specializuar.

Prokuroria e Specializuar në Hagë është shprehur mbi propozimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas saj, ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, në fakt kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose t’i bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të zyrës së Prokurorit të Specializuar, pas kërkesës së presidentit Thaçi, për sqarime shtesë rreth ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale.

Ndryshim i pikës 13 të kushtetutës

Në fund të muajit gusht, presidenti Thaçi me anë të një letre i kërkoi parlamentit të Kosovës që të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës, në bazë të të cilit është themeluar Gjykata Speciale. Presidenti kërkon ndryshimin e pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës, në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare” dhe kërkon që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Prokuroria e Specializuar nga ana e saj është e mendimit, se “neni 162 i kushtetutës në formën e tij aktuale, përshkruan në mënyrë të përshtatshme mandatin e Dhomave të Specializuara. Ndërsa, ndryshimet e propozuara synojnë të rivendosin ose riformulojnë atë mandat. Është e qartë nga deklaratat publike të z. Thaçi se qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara është përpjekja për të përfunduar, ose ndryshe për të zhvleftësuar veprimet e Dhomave të Specializuara në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e palëve dhe pjesëmarrësve në procedurat në vijim”, thotë Prokuroria Speciale.

Me tej në reagimin e saj thuhet, se “fakti që ndryshimet janë propozuar nga një president, i cili është subjekt i një akuze të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar në lidhje me krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, kërkon që ato të vlerësohen me kujdes të veçantë. Z. Thaçi nuk është një palë e pa interesuar dhe ka një arsye të mirë të besohet se ndryshimet e propozuara janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të dëmtuar gjykatën”, thuhet në njoftim.

Komentet shtesë të zyrës së presidentit

Një javë më parë, zyra e presidentit të Kosovës ka dërguar komentet e saj shtesë në Hagë lidhur me kërkesën e presidentit, ku thuhet se paragrafët 13 dhe 14 të nenit 162 të Kushtetutës kanë krijuar paqartësi rreth mandatit të Gjykatës Speciale. “Sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek aktorë të ndryshëm”, thuhet në sqarimet e zyrës së presidentit Thaçi.

Në pritje të konfirmimit apo hedhjes poshtë të akuzave

Me 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Prokuroria Speciale e “akuzon”, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si përgjegjës “për 100 vrasje të paligjshme” dhe krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Kjo aktakuzë deri në fund të këtij muaji, duhet të shqyrtohet “të konfirmohet apo hidhet poshtë”, nga gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju. Nëse aktakuza konfirmohet, atëherë presidenti Thaçi, ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare, ku Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Që nga viti 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitar nga prokuroret e Prokurorisë së Specializuar. Në mesin e të intervistuarve nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>