Sot në Prishtinë Komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta dhe Komandanti famëkeq i Ushtrisë së Serbisë Ljubisha Dikoviq nënshkruan marrëveshjen mbi procedurat e përkohshme operative pasi që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s autorizoi relaksimin e plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore. Kjo zonë (25 km) ka qenë e përcaktuar me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të 2 gushtit 1999 dhe shtrihej përgjatë kufirit të Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin e sotëm zyrtar të KFOR-it kufiri shtetëror Kosovë-Serbi cilësohet si kufi administrativ a thua se jemi ende në gusht 1999 dhe nuk ka ndodhur as shpallja e Pavarësisë as përfundimi i mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë që në po të njëjtin njoftim flitet për lejimin e Serbisë sa i takon hapësirës së lartë ajrore të Kosovës duke lënë të hapur edhe mundësinë për shfrytëzimin e hapësirës së ulët ajore në të ardhmen.
Prej 1999 hapësira e lartë ajrore e Kosovës ishte e bllokuar. Ajo u rihap me 3 prill 2012 me vendim të Këshillit të NATO-s, sipas përgjegjësive që kishte për hapësirën ajrore të Kosovës ndwrsa iu dha pwrgjegjwsi për ofrimin e shërbimeve “Hungarocontrol” edhe pse për këtë kishin aplikuar Shqipëria, Italia, Austria, Maqedonia madje dhe Serbia.
Ne edhe më herët kemi theksuar se në planin ndërkombëtar e shtetëror kalimi i kompetencave për kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës vetë Republikës së Kosovës është një çështje shumë e rëndësishme sa politike aq dhe ekonomike. Formalisht e juridikisht këto të drejta janë të sanksionuara nga ligjet e Kosovës për këtë fushë. Në kushtetutën e saj Kosova ka sovranitet të plotë në hapësirën e vet ajrore. Por de facto kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me përparimin që do të duhej të bënte Republika e Kosovës në një marrëdhënie të re me KFOR/NATO si dhe me përpjekjet për të vendosur marrëdhënie me ICAO (Organizatën Ndërkombëtarë të Aviacionit Civil) dhe pjesëmarrja në HPEA, Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit.
Në vend se të shihnim përparim në këtë drejtim pra që Autoritetet e Republikës së Kosovës të merrnin administrimin e plotë të hapësirës së lartë ajrore sot u bëm dëshmitarë të një marrëveshje e cila e shpërfilli plotësisht ekzistencën e autoriteteve shtetërore të Kosovës.
Madje ajo u nënshkrua me komandantin e Ushtrisë Serbe Dikoviq i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë komandant i Trupave Tokësore të Serbisë dhe është përgjegjës për krimet e masakrat e bëra në Kosovë prej reparteve ushtarake të varura prej tij.
Qeveria e Kosovës në vend se të punonte me këmbëngulje në përgatitjen e një marrëveshje të re me NATO/KFOR ka negociuar për katër vite rresht me Serbinë duke e amnistuar atë në raport me të gjitha dëmet e së kaluarës dhe së tashmes.
22 nëntor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!