Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha së është i pafajshëm përballë akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai u paraqit të hënën në Gjykatën e Posaçme në Hagë, disa ditë pasi dha dorëheqjen për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Posaçme, e cila e ngarkon atë për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.
Zoti Thaçi akuzohet për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.
Sipas prokurorisë, “krimet janë kryer midis afërsisht prillit 1998 dhe gushtit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë – Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende të tjera në komunën e Podujevës, në Drenoc dhe vende të tjera në komunën e Rahovecit, malet e Berishës në Llapushnik dhe vende të tjera në Drenas, Ferizaj dhe vende tjera në këtë komunë, Gjilan, Jabllanicë në Gjakovë, disa vende në Kaçanik, Kleçkë dhe vende të tjera në Lipjan, Likoc dhe vende tjera në Skenderaj, Malishevë dhe vende të tjera në këtë komunë, Shpella e Volljakës në Klinë, Novobërdë, Zllashë dhe vende të tjera në Prishtinë, Prizren dhe vende të tjera në këtë komunë, Suharekë dhe vende të tjera në këtë komunë, Viti si dhe Cahan e Kukës në Shqipërinë Veriore“.
Krimet, thuhet në akuzën e prokurorisë, “u kryen si pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundrejt popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera“.
“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha“, tha ish presidenti Thaçi, pas paraqitjes së akuzave nga Prokuroria e Posaçme.
“I nderuari gjykatës akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht. Ritheksoj akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat si të paqëndrueshme“, theksoi ai.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës nëntë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Avokati mbrojtës i ish presidentit Thaçi, David Hooper, ngriti këtë çështje në fjalën e tij.
“Kur e shohim aktakuzën mbrojtja thotë këtë ‘ku janë pretendimet për marrje organesh njerëzore dhe historia e shtëpisë së verdhë sepse kjo ishte shumë e rëndësishme në nxitjet për krijimin e kësaj gjykate. Duke ndjekur atë gjysmë faqe dramatike në librin e (Carla) Del Pontes që u ndoq pastaj nga raporti i Dick Martyt, dhe këto pretendime jo vetëm që janë njollë për Kosovën dhe kosovarët, por ishte ky pretendim që krijoi këtë gjykatë të Kosovës. Unë them gjykatë e Kosovës, por këtu nuk ka asgjë nga Kosova, nuk as një emblemë nga Kosova, ndoshta mund të kishim këtu shqiponjën e zezë me të kuqe“, tha zoti Hoper.
voa