Të martën, në Prishtinë, është sjellë trupi i pajetë i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, në Turqi, ku po trajtohej nga goditja në tru.
Që nga ora 10, në organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës, janë duke u bërë homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi. Ndërkaq, pritet të mbahet edhe një mbledhje komemorative për ish-kryeministrin Rexhepi, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës në largim, Isa Mustafa.
Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi do të organizojë edhe Kuvendi Komunal i Mitrovicës.
Varrimi i ish-kryeministrit të Kosovës do të bëhet në fshatin e tij të lindjes, në Shipol, me ceremoni shtetërore.
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u lind më 3 qershor të vitit 1954, në Mitrovicë. Diplomoi nëFakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1979, ndërkaq në Zagreb përfundoi studimet pasuniversitare, në vitin 1985. Deri në vitin 1990, Rexhepi punoi në Spitalin rajonal të Mitrovicës, si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik.
Si mjek, ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.
Pas luftës, Bajram Rexhepi ishte kryetari i parë i Komunës së Mitrovicës. Ai ishte, po ashtu, kryeministri i parë i Kosovës, që nga marsi i vitit 2002 e deri në dhjetor të vitit 2004.
Në vitin 2007, ai sërish nga qytetarët e Mitrovicës u zgjodh kryetar i Komunës së këtij qyteti.
Më pas, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilin subjekt politik mbante postin e nënkryetarit, si dhe më pas, ka mbajtur postin e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.
Në vitin 2016, Rexhepi kishte refuzuar postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk do të kthehet më në jetën politike, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.
Rexhepi më pas i ishte kthyer profesionit të mjekut, por ishte përballur me sëmundjen e kancerit, të cilës i kishte mbijetuar. Por, në prill të këtij viti ai pësoi goditje në tru. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë dhe më pas ishte transferuar në Turqi, për mjekim të mëtutjeshëm.
Më 21 gusht, Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta.
Trupi i pajetë i Rexhepit është kthyer nga Turqia më 22 gusht, ditë të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur ditë zie.
Bajram Rexhepi ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij.