Hoti: Jam i gatshëm për dialog në SHBA pa Presidentin Thaꞔi

rama hotiKryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi Tiranën, ku deklaroi se Kosova kërkon të ketë një pikë doganore në Portin e Durrësit.

Vizitën e parë jashtë vendit dhe deklaratat e rëndësishme si kryeministër, Avdullah Hoti, zgjodhi t’i bëjë në Tiranë. “Jam i gatshëm dhe në koordinim me ambasadorin Grenell për të caktuar një datë për të filluar procesin e dialogut me një agjendë fillimisht ekonomike dhe më pas politike të dialogut, bazuar në parimet tona. Ne hyjmë ne dialog me Serbinë për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dialogu nuk ka alternativë. Prandaj sa herë që ftohem në SHBA dhe Bruksel do të shkoj të përfaqësoj shtetin e Kosovës,” tha kryeministri i Kosovës, Hoti në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Rama.

SHBA dhe BE rol komplementar

Hoti e përforcoi gatishmërinë e tij institucionale pro dialogut dhe theksoi se “roli i SHBA dhe BE në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është komplementar, pa konkurrencë mes tyre”.

Të tilla deklarata duket se zbehin spekulimet lidhur me shtyrjen në kalendat greke të dialogut Kosovë – Serbi apo edhe ato për përpjekje të SHBA ose BE për të zotëruar dialogun. Deklaratat e Hotit në Tiranë duket se i përgjigjen pa ekuivoke situatës së krijuar pas anullimit të takimit mes palëve, të planifiuar për t’u zhvilluar më 27 qershor në Uashington, për shkak të padisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të  ngritur kundër Presidentit Thaꞔi nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Me deklaratën e tij të premten në Tiranë, Kryeministri Hoti është në të njëjtën linjë me Richard Grenell, të dërguarin e posaꞔëm të Presidentit Trump, për planifikimin e një date tjetër për zhvillimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Zhvillimet  e fundit u kanë ridhënë mundësi palëve të rikonfirmojnë qëndrimet e tyre të kundërta: Hoti deklaroi në Tiranë se Kosova shkon në dialog për njohje reciproke si bazë e normalizimit të marrdhënieve me Serbinë, Vučić deklaroi të enjten (02.07.) se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën  dhe se “po bisedon dhe negocion me Perëndimim jo me shqiptarët”

Rama : Deklarata e Vučić-it një provokim, Tirana mbështet Prishtinën

Kryeministri Rama e cilësoi deklaratën e mësipërme të Presidenti serb “një provokim”. “Nëse ne jemi një, presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, mund të shkojë në Lindje, mund të shkojë në Hënë po të dojë, në fund do të ulet me ne. Presidenti i Serbisë do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës, që e njeh apo nuk e njeh ai, është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe natyrisht me ne në Tiranë që do të mbështesim deri në fund autoritetet, udhëheqjen e Prishtinës”, tha Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hoti.

Rama e stigmatizoi Presidentin Vučić  si dikë që ”bën të fortin duke shfrytëzuar emocione, duke shfrytëzuar konjuktura të brendshme për t’u dukur përpara popullit si patriot i madh apo si flamurmbajtës i madh që po shpëton atdheun nga tradhtarët dhe nga agjentët”

Turp për BE-në që nuk liberalizon vizat me Kosovën.

Kryeministri Rama e quajti “turp” të BE mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Ne nuk marrim vendime për Kosovën, ne nuk flasim në emër të Kosovës, por për Kosovën. Është një turp për BE-në që sot mban peng një popull, i vetmi i marrë peng në kontitentin tonë, që ndalohet të lëvizë lirisht. Si shtet Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet. Arësyeja është në Evropë, në politikën e brendshme të BE-së” tha Rama  në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin e Kosovës, Hoti.

Kosova i kërkon Shqipërisë një pikë doganore në Portin e Durrësit

Forcimi i bashkëpunimit ekonomik ishte një tjetër temë e rëndësishme në bisedimet Rama – Hoti në Tiranë. Kryeministri Hoti prezantoi në Tiranë tri projekte të përbashkëta që duhen zbatuar pa humbur kohë: një pikë doganore për Kosovën në Portin e Durrësit, qö ngarkesat drejt Kosovës të mos kontrollohen në pikën doganore të Morinës, pika e daljes kufitare nga Shqipëria në Kosovë; ndërtimi në territorin e Shqipërisë të një hidrocentrali që do të furnizojë Kosovën me energji elektrike; ndërtimi i një hekurudhe që do të lidhë Tiranën me Prishtinën, projekt ky që sipas kryeministrit Hoti mund të fillojë në fund të këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>