Hoti: Marrëveshja e Washingtonit ka krijuar mundësi të reja për Kosovën

HotiKryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha sot se zhvillimet e fundit politike dhe marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, kanë krijuar mundësi të reja për zhvillimin e Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me Odën Ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane në Prishtinë, për të diskutuar mundësitë e shfrytëzimit të investimeve e paralajmëruara amerikane.

Kryeministri Hoti tha se është koha për të punuar bashkë të gjithë për të shfrytëzuar siç tha, momentin e jashtëzakonshëm pas dakordimit të 4 shtatorit në Washington.

“Nga kjo marrëveshje janë së paku 1 miliard dollarë amerikanë financim për projekte infrastrukturore që janë të listuara në marrëveshje; hekurudha, autostrada, studimi i fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte tjera infrastrukturore, një skemë e veçantë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilën do ta zhvillojmë së bashku me odat ekonomike dhe në konsultim me partnerët amerikanë edhe projekte të ndryshme të Partneritet publiko-privat që mund të zhvillohen. Disa prej tyre janë të gatshme, siç është projekti i Brezovicës ose stacioni intermodal këtu në dalje të Prishtinës që e kthen Kosovën në qendër të infrastrukturës në nivel të regjionit duke lidhur portin e Durrësit, portin e Selanikut, Stambollin dhe gjithë Evropën Qendrore”, tha ai.

Të hënën dhe të martën në Prishtinë dhe në Beograd qëndroi një delegacion i lartë amerikan i prirë nga ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi së bashku me agjenci të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Vizita e tyre ishte në funksion të fillimit të zbatimit të zotimeve të bëra me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Odat Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë u pajtuan dje në Beograd që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se në Beograd janë trajtuar tema të ndryshme që lidhen me lehtësimin e lëvizjes së mallrave.

“Kemi trajtuar tema të ndryshme sidomos te barrierat tregtare. Normalisht që ne do të angazhohemi që këtu ta kemi grupin punues për projekte që janë me rëndësi për neve, ndërsa grupi mendohet të punojë me Odën ekonomike të Serbisë që është më shumë në identifikimin e barrierave edhe të eliminimit të pengesave që mund të jenë edhe në realizimin e këtyre projekteve”, tha ai.

Zoti Rukiqi tha se Kosova synon të krijojë një mekanizëm të brendshëm për të zhvilluar ide për thithjen e investimeve amerikane.

Kryetari i Odës Ekonomike amerikane në Kosovës, Arian Zeka, tha se zhvillimet e fundit do të ndihmojnë rritjen e zhvillimit ekonomik në vend.

“Gjitha këto mundësi që ne po i shohim, realisht përkthehen në vende të reja pune që janë jashtëzakonisht të nevojshme për vendin tonë, por natyrisht edhe projektet e ndryshme infrastrukturore për të cilat është folur ditëve të fundit dhe kanë zënë vendin e tyre në marrëveshjen e Washingtonit e shndërrojnë Kosovën në nyje të rëndësishme transportuese dhe të lëvizjes së njerëzve edhe të mallrave”, tha ai.

Delegacioni amerikan nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Kosovën dhe Serbinë, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit, ndërsa ambasadori Grenell tha se vizite e delegacionit amerikan është dëshmi e përkushtimit për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>