Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jefrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Ai tha se formimi i Asociacionit është një obligim dhe shtoi se edhe Bashkimi Evropian e pret këtë gjë nga Qeveria e Kosovës.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë. Ne besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë një qeveri të shtresës së tretë, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, ne nuk duam një tjetër Republikë Serbe, nuk duam diçka që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Hovenier, raporton RTK.
“Të gjithë ata që kanë thënë se duhet të jenë të koordinuar me ShBA-në, Perëndimin dhe Evropën duhet të shikojnë vazhdimisht që ky draft ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe në SHBA”, ka shtuar Hovenier.
Këto deklarata, ambasadori amerikan i bëri pas një diskutimi me studentë në Mitrovicë.