Hyn në fuqi MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës

marreveshja MSATë premten filloi zyrtarisht zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit Ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. E nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u miratua në fillim të vitit edhe Parlamenti Evropian dhe nga një prilli është në fuqi.

Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se për vendin po fillon një kapitull i ri dhe kjo ditë do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit të ri, meqë “Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, që kushtëzon të drejta dhe detyrime të ndërsjella një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale“.

Ai tha se “Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit;  forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme.”

Sipas tij nga dita e sotme, prodhuesit e Kosovës do të kenë mundësinë të eksportojnë në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh.

Edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë cilësuar si fillim të ri për Kosovën, Ballkanin dhe tërë Evropën, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes s Stabilizim Asocimit.

Por, ata njëkohësisht u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të punojnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe transparencën e administratës publike.

Po ashtu ata kanë bërë thirrje kundër dhunës dhe që udhëheqësit e qeverisë dhe opozitës të vënë në rend të parë interesat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës.

Nënshkrimi i MSA-së u bë i mundur pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, të cilat ndërkaq Serbisë, i siguruan  negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në dhjetor të vitit të kaluar.

Por, marrëveshjet me Serbinë çuan në një krizë politike në Kosovë. Që nga 22 shtatori i vitit 2015, parlamenti i Kosovës kaloi një periudhë tensionesh në seancat e të cilit u përshkuan me gaz lotsjellës e skena dhune edhe në rrugët e Prishtinës, gjatë protestave të opozitës kundër marrëveshjes  për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Opozita i ka bërë thirrje qeverisë që të jap dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjidhje kjo sipas tyre e vetme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria është zotuar se do të respektojë vendimin e gjykatës ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga veprimet e dhunshme. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>