Institucionet e Kosovës duhet të jenë të sinkronizuara përballë çdo krize

qendrueshmeriaNë konferencën me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, u tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë të sinkronizuara për t`u përballur me çdo situatë krize në vend.

 

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes nga sulmet hibride, teksa ka thënë se ky është detyrim për qëndrueshmëri kombëtare. Osmani këtë e tha në konferencën e Ministrisë së Mbrojtjes, me temën  “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, ku do të marrin pjesë liderët shtetërorë.

“Institucionet duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara për mbrojtje ndaj sulmeve hibride. Duke pasur parasysh se qëndrueshmëria kombëtare është detyrim i joni për gjeneratat e ardhshme, këtë e kemi treguar edhe gjatë rezistencës paqësore edhe ne kohen e luftës”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja ka theksuar se për mbrojtje hibride, duhet investim në teknologji.

“Me zhvillimin e teknologjisë ne duhet te jemi te përgatitur për mbrojtje, prandaj duhet investuar në teknologji digjitale për të siguruar mbrojtje efektive ndaj sulmeve kibernetike. Zhvillimi ekonomik është nyje kyçe për siguri kombëtare”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se viteve të fundit janë bërë hapa të rëndësishëm për forcim të qëndrueshmërisë kombëtare. Ka potencuar hartimin e draft konceptit, i cili sipas tij, është duke e miratuar në Qeveri.

“Sot më shumë se kurr, bota përballet me sfida komplekse. Ndryshimet klimatike, rreziqet teknologjike dhe kërcënimet kundër sigurisë kombëtare e globale. Në këtë kontekst qëndrueshmëria dhe gatishmëria nuk janë më opsione që mund t’i zgjedhim a përzgjedhim, por janë domosdoshmëri shtetërore e kombëtare. Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar e rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike, apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo, nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme duke minimizuar rreziqet dhe duke maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur reformat në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përmendur blerjet ushtarake, teksa ka thënë se me këtë rast, jo vetëm që është rritur gatishmëria për mbrojtje të integritetit të vendit, por edhe aftësia për parandalim e rimëkëmbje nga çdo goditje.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim kyç forcimin e bashkëpunimit, duke bërë bashkë strategji inovative dhe të ndajë praktikat më të mira. Maqedonci ka thënë se diskutimi gjatë kësaj konference do të përmirësojë e pasurojë qëndrueshmërinë kombëtare.

“Në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria s’është më një opsion, por domosdoshmëri. Qëndrueshmëria përkufizohet jo vetëm si aftësia për t’u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta”, ka thënë ai.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>