Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë vazhdon të mbështesë idenë se Kosova duhet të merret me forcë. Patriarku serb Irinej e bëri këtë deklaratë lidhur me objektet e kultit që ndodhen në Kosovë, një javë para se Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s të shpallë vendimin për pranimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
Duke folur nga Nishi, Irinej tha se të gjithë duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur Kosovën dhe Metohinë.
“Nëse ndodh përdorimi i forcës, duhet të bëjmë çdo gjë që me hatër ose me forcë ta kthejmë atë. Shpresoj që mos të jemi të detyruar ta mbrojmë atë në këtë mënyrë, por që vetëdija dhe ndërgjegjja e atyre që vendosin fatin tonë të flasë në mënyrën si duhet të flasë një ndërgjegje e zgjuar dhe e pastër njerëzore”, deklaroi patriarku serb.
Irinej u shpreh se objektet e shenjta në Kosovë janë pjesë e historisë dhe kulturës serbe. Komente të ngjashme Kisha Ortodokse serbe i ka bërë gjatë një takimi të zhvilluar më 16 tetor me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç. (shekulli)