Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë shpalli fajtorë dy ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie nën akuzat “për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Duka shpallur vendimin, trupi gjykues theksoi se “kjo çështje ka të bëjë me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e proceseve gjyqësore dhe sigurinë, mirëqenien dhe çlirimin nga frika të qindra personave, të cilët janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi qëndron në themelin e çdo sistemi të drejtësisë penale, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar”.
Gjykata i përshkroi veprimet e të akuzuarve si “sfidë ndaj atij themeli dhe për rrjedhojë si kërcënim për drejtësinë.
Të dy ata u arrestuan më 25 shtator të vitit 2020 dhe në dënimin e tyre llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Akuzat ndaj tyre u ngritën pasi Organizata e Veteranëve të Luftës, në shtator të vitit 2020, tha se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.
Prokuroria e Specializuar tha se “Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke marrë një vendim nëse ose se si të shpërndahen, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht”.
Prokuroria tha se me këto veprime, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë shkelur fshehtësinë e procedurës dhe frikësuar dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si rrjedhojë, penguan punën dhe hetimet e kësaj prokurorie.
Zoti Gucati dhe zoti Haradinaj kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat.
Ky është vendimi i parë i Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish luftëtarëve shqiptarë në krime të luftës dhe të pasluftës së viteve 1998 – 1999.
Aktualisht në Hagë tashmë ndodhen edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj zotit Mustafa, i cili akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
voa