Jabllanoviq: Asociacioni me kompetenca, por jo me autonomi të veçantë

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, gjithsesi që do të ketë kompetenca ekzekutive, por jo një autonomi të veçantë brenda Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Jablanoviq, kryesues i Listës Serbe për Kosovën.

 

jablanoviqRadio Evropa e Lirë: Zoti Jabllanoviq, tashmë ekziston marrëveshja për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Cili është mendimi i juaj, ka apo nuk ka ky organ kompetenca ekzekutive, të formës së një nivelit të pushtetit të tretë në Kosovë?

Aleksandar Jabllanoviq: Është mirë që më në fund është arritur në Bruksel marrëveshja për formimin e Bashkësisë apo Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Bashkësia e komunave serbe gjithsesi që do të ketë kompetenca ekzekutive.

Ato kompetenca, para së gjithash, do të pasqyrohen në kryerjen e veprimtarive në shëndetësi dhe arsim, në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por edhe në disa segmente të jetës publike, të cilat do të jenë të afërta me statusin që do të bëhet në periudhën e ardhshme.

Ndryshe, se a do të jetë ky nivel i tretë i pushtetit ose jo, kjo është pak e rëndësishme në këtë moment. Sado qofshin nivele të pushtetit që të ekzistojnë, kjo është një shoqëri e ndërtuar shumë më demokratike dhe e orientuar drejt bashkëjetesës. Askush nuk po e bën Bashkësinë e komunave serbe, për të bërë një autonomi të veçantë brenda Kosovës dhe kjo, për asnjë moment, nuk ka qenë qëllimi apo detyra jonë.

Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se nuk do të ketë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, apo siç e quajtët autonomi?

Aleksandar Jabllanoviq: Ju gjithmonë do të gjeni njerëz që do t’ju japin interpretime të ndryshme. Por, unë po ju them se Bashkësia e komunave serbe është e orientuar ekskluzivisht për përmirësimin e mënyrës dhe kushteve të jetesës në komunat ku serbët e përbëjnë shumicën.

Ato përmirësime që do t’i sjellë Bashkësia, po shpresoj, do të ndikojnë për një jetesë më të mirë jo vetëm të serbëve në ato komuna, por edhe të banorëve tjerë të nacionaliteteve tjera, boshnjakëve, shqiptarëve, romëve e të tjerë…

Radio Evropa e Lirë: Për themelimin e Asociacionit apo Bashkësisë është përcaktuar afati kohor prej 4 muajsh. A kanë nisur përgatitjet për statutin e këtij organi dhe kush do të jetë i përfshirë në përgatitjen e tij?

Aleksandar Jabllanoviq: T’ia rikujtojmë opinionit ekipin për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit ose siç është i njohur në opinion me emrin: Ekipi për menaxhim, i cili është formuar në vitin 2013 me pajtimin e delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i atij ekipi ka qenë zbatimi i marrëveshjes në terren apo zbatimi i marrëveshjeve për të cilat është arritur pajtimi, si dhe hartimi i statutit për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Ekipi për menaxhim, në periudhën e kaluar i ka hartuar tre apo katër drafte për statutin, por asnjë nga ato drafte nuk e ka parë dritën, për shkak të kundërshtimeve të Prishtinës që të bisedohet në mënyrë serioze për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.

Tash është arritur një kornizë tjetër kohore, brenda së cilës duhet të sillet statuti përfundimtar për formimin e kësaj Bashkësie. Por, bazuar në përvojën nga e kaluara, unë nuk mund të shpresoj shumë që ky afat do të respektohet, sepse deri më tash kemi qenë dëshmitarë të asaj që të gjitha afatet e mundshme janë thyer me një obstruksion të vrazhdë që fatkeqësisht ka ardhur nga partnerët tanë të koalicionit.

Vet marrëveshja e jonë e koalicionit ka qenë e bazuar në disa pika dhe pika e parë ka qenë formimi i Bashkësisë së komunave serbe, për të cilin ishte paraparë afati deri në maj të vitit 2015.

Unë, po e përsëris se po shpresoj që kësaj radhe të dyja palët do t’i përmbahen kornizave kohore për të cilat janë pajtuar. Por, në anën tjetër, më duhet të mbaj dyshimet lidhur me këtë, sepse i mësuar me përvojën nga periudha e kaluar, do të ishte naive për mua që të besoj që tash gjithçka për të cilën është arritur marrëveshje, do të respektohet pa ndonjë problem.

Radio Evropa e Lirë: Kush do të jetë i përfshirë në përgatitjen e statutit?

Aleksandar Jabllanoviq: Për përgatitjen e statutit ekziston ekipi që për një gjë të tillë është obliguar nga ana e Beogradit dhe Prishtinës. Por, mendoj që për përgatitjen e një statuti serioz për një organizatë serioze, siç do të duhej të jetë Bashkësia e komunave serbe, është e domosdoshme që të përfshihen juristët ndërkombëtarë, politikanët relevantë aktual ose ish-politikanë që do ta japin kontributin e tyre dhe do ta vulosnin atë në këtë dokument.

Në anën tjetër, ne presim që të përfshihen edhe përfaqësuesit e caktuar të organeve të Prishtinës, gjegjësisht, juristët e tyre. Ne madje, disa herë një gjë të tillë edhe ua kemi ofruar partnerëve tonë të koalicionit në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Partinë Demokratike të Kosovës, që të japin disa propozime se kush do të ishin juristët nga ana e tyre, me të cilët ne së bashku do të mund të uleshim dhe të shkruanim draftin e statutit, madje para se të përfundonte kjo pjesa e fundit e dialogut në Bruksel.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jabllanoviq, në marrëveshjen e arritur në Bruksel, ky organ bart emërtimet Asociacion dhe Bashkësi. A do të figurojë kështu edhe në statut?

Aleksandar Jabllanoviq: Unë mendoj se kështu do të jetë dhe kjo është lënë kështu në mënyrë që të respektohet vullneti i të dyja palëve. Njëra palë do ta thërras Asociacion e tjetra, Bashkësi. Askujt prej nesh nuk do t’i bie kurora nga koka për këtë shkak. Për serbët kjo do të jetë Bashkësi, ndërkaq për shqiptarët do të jetë Asociacion apo diç tjetër. Nuk është i rëndësishëm emërtimi, por esenca se çfarë do të qëndrojë në atë tekst dhe çfarë kompetencash ekzekutive do të ketë Bashkësia e komunave serbe.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jabllanoviq, emri juaj është duke u përfolur si kryetari i mundshëm i parë i Asociacionit apo Bashkësinë së komunave me shumicë serbe. Sa ka të vërtetë në këtë?

Aleksandar Jabllanoviq: Unë, personalisht, nuk jam i njoftuar me informacion të tillë. Kam dëgjuar edhe unë, si dhe kam parë shkrimet në mediet elektronike. Por, ajo për të cilën unë mund t’ju garantoj me siguri, është se asnjë emër nuk dihet paraprakisht dhe askujt nuk i është premtuar asnjë funksion në këtë Bashkësi.

Ajo që do të jetë e zbatueshme për kualitetin e punës së një organizate të tillë, është niveli i demokracisë së saj. Kjo do të shihet vetëm kur njerëzit, të cilët do të zgjidhen në Bashkësinë e komunave serbe, do të zgjidhen nga ana e delegatëve apo Kuvendit, të cilin do ta ketë Bashkësia.

Kështu që, në qoftë se flasim paraprakisht për emrin e parë, të dytë apo të tretë, kjo e jep një fotografi joserioze për krejt idenë e formimit të Bashkësisë së komunave serbe. Ky nuk është kurrfarë procesi i programuar dhe kush do ta udhëheqë Bashkësinë dhe çfarë kompetenca dhe organe do t’i ketë ajo, mbetet të shihet në periudhën e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, zoti Jabllanoviq, si e shihni ju Asociacionin apo Bashkësinë, si nxitëse të kundërshtimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve apo si faktor që do t’i amortizojë këto kundërshtime?

Aleksandar Jabllanoviq: Unë, megjithatë, mendoj se Bashkësia e komunave serbe dhe e gjithë ajo që kanë bërë në Bruksel përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesit e Prishtinës është e orientuar kah ajo që t’i amortizojnë mos-durimet që ekzistojnë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe mendoj se Bashkësia e komunave serbe do tu japë një kornizë serbëve që ta mbajnë një nivel të pavarësisë së tyre në komunat ku janë shumicë.

Në anën tjetër, shqiptarët do të mund të thonë se në këtë mënyrë kanë arritur t’i integrojnë të gjithë serbët e Kosovës në shoqërinë e Kosovës. Por, siç thonë, e vërteta është diku në mes dhe mendoj që rezultati më i rëndësishëm i formimit të Bashkësisë së komunave serbe dhe zbatimit të gjithë asaj, për të cilën është arritur marrëveshja në Bruksel, do të jetë ajo që ndërmjet nesh, madje edhe ato mos-durime që me siguri do të ekzistojnë edhe në të ardhmen, do të duhet të zgjidhen në mënyrë institucionale dhe demokratike, pa e rrezikuar sigurinë qoftë të shqiptarëve, qoftë të serbëve në hapësirën e Kosovës.  (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>