Kadare: Jam evropianist i vendosur

Kadare intervistaIdentiteti shqiptar është homogjen, nuk mund të ketë identitet të përgjysmuar ose të modifikuar, nënvizon shkrimtari Ismail Kadare në intervistë për DW.

 

Deutsche Welle: Zoti Kadare, sot bisedën po e zhvillojmë në një kohë kur shqiptarët në Kosovë në kushtetutën e re që sapo ka hyrë në fuqi, vendosën themelet e një shtetit të ri, pra shqiptarët arritën të realizojnë ëndrrën e tyre për një Kosovë shtet të pavarur? Sa i rëndësishëm është ky fakt për kombin shqiptar?

Ismail Kadare: Sigurisht që përgjigjja ime si e çdo shqiptari do të jetë pozitive. Shqiptarët, kombi shqipëtar, sigurisht që nuk ka marrë një favor, por është rregulluar diçka që ishte çregulluar, në vite, në shekuj. Tashmë shqiptarët kanë hapësirën e tyre në Ballkan, shumë të rëndësishme me atë shtat që ata e meritojnë prej kohësh. Prandaj është gjetur një drejtëpeshim, një ekuilibër për një drejtëpeshim të prishur, pra është zëvendësusar ky i fundit që ka qenë. Dhe kjo është në rradhë të parë për të mirën e kombit shqipëtar dhe për të gjithë Ballkanin, kjo rigjetje e ekuilibrit. Natyrisht që kjo do të luajë një rol të madh ndaj të gjitha pikëpamjeve, si nga pikëpamja politike , ekonomike, psiqike e kombit shqipëtar, do ndryshojë gradualisht, dalëngadalë vetë ndjesia e tij për vehten e tij. Dhe kur ndjesia e një kombi ndryshon për të mirë, siç është në këtë rast, atëherë pesha e tij e brendëshme do të reflektojë në peshën e tij të jashtme. Sigurisht që kështu ndodh në gjithë popujt. Pra, psikologjia shqiptare do të ndryshojë nga kahu i mirë i saj në të gjitha pikëpamjet.

DW: Pra tani kemi dy shtete shqiptare. Por, pse disa i tremben një Shqipërie të madhe dhe nuk i tremben dy shteteve shqiptare, zoti Kadare? Si e shpjegoni ju këtë?

Kadare: Mendoj se është thjesht një frikë. Në botë zakonisht ka frikëra që kanë një bazë të vërtetë, por shpesh ato kanë një bazë virtuale. Një bazë të shpikur, siç janë edhe frikërat e fëmijërisë që krijohen nga fantazmat, nga gogoli. Dhe me sa duket këto ngelen edhe në jetën politike ndërkombëtare disa herë. E ashtuquajtura Shqipëri e Madhe ka qenë prej kohësh një motiv i preferuar, për të qenë një lloj alibie, për të justifikuar një prapambetje të çështjes shqiptare, një ngecje në vend. Në fakt prej shumë e shumë vitesh shqiptarët e kanë bërë të njohur vetë në gjuhën shqipe, në formën e të menduarit shqiptar që kjo shprehje të takohet shumë rrallë. Shqiptarët nuk thonë Shqipëri e Madhe. Asnjëherë. Thonë Shqipëria natyrale, ose Shqipëria etnike. Pra as e madhe, as e vogël, por ajo që është dhe që duhet të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo siç kanë thënë Rusia e Madhe, Gjermania e Madhe, Kroacia e Madhe, këto terma ndryjnë në vetvete një koncept negativ, pra nënkupton një shtet i bërë i madh me dhunë, pa të drejtë, dmth. duke uzurpuar të drejtën e të tjerëve. Prandaj të përdorësh këtë shprehje në këtë rast për atë që quhet Shqipëri e natyrshme, cenohet e vërteta. Kjo shprehje ka qenë një tingëllimë negative dhe është e përjashtuar për ne brenda vendit.

DW: Zoti Kadare, kohë më parë ju keni zhvilluar një debat të gjatë lidhur me identitetin e shqiptarëve. A ka ndryshuar në parim identiteti i shqiptarëve pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, pra të shqipëtarve si komb me dy shtete?

Kadare: Besoj që shumica e shqiptarëve janë dakord që identiteti shqiptar është homogjen, është i njëjtë, është pjesë e identitetit evropian. Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, as identitet shqiptar të gjymtuar ose të modifikuar për shkak të një robërie të gjatë. Ne kemi njohur si të thuash një robëri klasike të jashtme, që ka qenë robëria otomane dhe një robëri të brëndshme që ka qenë me dy fytyra: robëria komuniste shqiptare në Shqipëri dhe robëria komuniste serbe bashkë me robërinë e mbretërisë jugosllave në Kosovë. Egziston nje teori e keqe do të thoja unë, që pretendon nga këto aksidente të rënda historike (njëra 5 shekuj e tjera më shumë se gjysëm shekulli) se identiteti shqiptar është modifikuar, është ndryshuar. Të thuash këtë gjë për një popull është t´i bësh fyerjen më të madhe. Një popull që i ndryshohet identiteti prej robërisë është mjeran, është thellësisht fatkeq dhe ka mungesa në dinjitetin e tij. Përse popujt e tjerë të Ballkanit nuk e ndryshuan identitetin dhe përse i paska rënë popullit shqiptar kjo fatkeqësi dhe ky cënim i rëndë? Pra, nuk është e vërtetë. Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane kanë mbetur ata që janë të pamodifikuar. Pra të gjitha ato përrallat për identitetin e modifikuar mbeten vetëm përralla, dhe jo vetëm kaq, por ato janë edhe të dëmshme.

DW: Por tani flitet për një problem tjetër që ka dalë pas krijimit të shtetit të ri shqiptar. A ka Kosova identitet tjetër apo ka identitetin klasik shqiptar?

Kadare: Bëhen shumë përpjekje për këtë gjë, ka shumë doktrina dhe lloj – lloj teoricientësh për të vërtetuar se Kosova ka identitet tjetër. Kjo nuk është gjë tjetër veç se versioni që thashë më parë, versioni se një populli robëria mund t’ia ndryshojë identitetin. Në qoftëse ne pranojmë që Kosova për shkak të një qëndrimi 70-vjeçar nën sundimin jugosllav paska krijuar identitet tjetër, ky është përsëri, siç thashë më sipër, një mjerim i madh për popullin tënd. Përse e paska ndërruar? Kosova ka qenë e bashkuar me Shqipërinë përpara. Ka qenë vazhdimi i hapësirës shqiptare. Nuk ka pasur kufij gjatë pesë shekujve që fola unë. Gjatë Perandorisë Otomane ka qenë e njëjta zonë, zonë që administrata turke e quante me emra të ndryshëm, por ka qene kjo zonë që është sot, pra përse ndryshoi ky identitet për këto 70 vjet? Përse, ku janë arsyet, ku është ndryshimi? E folmja ? E folmja në Kosovë është absolutisht më e afërt disa herë me gjuhën që flitet në përgjithësi në Shqipëri se sa në shumë pjesë, zona të Shqipërisë që kanë dialekte shumë të larguara nga pjesa e përgjithshme shqiptare. Unë kur flas me kosovarët apo kur lexoj shtypin kosovar, gjuha është shumë më e afërt se sa disa gazeta në Shqipëri, si në Gjirokastër, në Shkodër, në Kukës në Elbasan. Pra, është tepër natyrale kjo, e megjithatë, do të shtoja se nuk është vetëm gjuha që përcakton identitetin, edhe pse është një nga faktorët themelorë, por është një nga faktorët. Identiteti është edhe historia e përbashkët, është të ndjerit e përbashkët, janë emocionet e përbashkëta si komb, të cilat janë të krijuara gjatë shekujve, të mijëvjeçarëve. Prandaj nuk e kuptoj këtë këmbëngulje për ta deformuar identitetin e shqiptarëve. Një popull mund të jetojë në dy shtete, kjo nuk do të thotë asgjë. Në rradhë të parë është e rëndësishme si ndjehet vetë kombi , çfarë kombësie ndjen ai në ndërgjegjen e vet historike, në moralitetin e vet historik. Me duket se kjo këmbëngulje, më duket përsëritje e tezave që nuk të çojnë askund.

DW: Po vlerat shqiptare, zoti Kadare, a ka të bëjë kjo edhe me identitetin e shqiptarëve?

Kadare: Sigurisht identiteti i një kombi ka të bejë më vlerat që bart kombi por njëkohësisht edhe me cenet e tij. Por nuk duhet të kemi frikë të themi, siç flasim për vlerat me shumë të drejtë , me kurajo duhet të flasim edhe për cenet e tyre, për t´i korigjuar ato. Ashtu sikurse njerëzit e fortë janë më të aftë të gjejnë mungesat e tyre se sa njerëzit e dobët, të cilët nuk flasin kurrë për mungesat e tyre.

DW: Zoti Kadare ju shpesh keni bërë vërejtje ndaj Evropës, se i ka qëndruar larg shqiptarëve, nuk i ka afruar sa duhet, biles në rastin e dramës së Kosovës shpesh ka qenë e shurdhër ose dhe e verbër, sipas jush. Sot , ajo duket se është më afër se kurrë pranë shqiptarëve, në Shqipëri Kosovë dhe Maqedoni. A mjafton kjo? Apo fati për të hyrë në familjen e Bashkimit Evropian e kanë vetë shqiptarët?

Kadare: Kjo është një pyetje interesante dhe shumë e rëndësishme. Unë jam vetë një evropianist i vendosur ashtu si dhe shumica e shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se unë çdo gje që kam bërë ose bën Evropa e shoh në mënyrë të pakushtëzuar, në mënyrë pozitive gjithmonë. Dhe gjithmonë njeriu i bën vërejtje në rradhë të parë vendin të vet, zonës së vet ku është shteti i tij dhe kontinentit të vet. Prandaj ne kur i bëjmë vërejtje Evropës, të gjitha këto janë vërejtje që ia bëjmë kontinentit tonë, kontinentit mëmë, ku bën pjesë edhe populli shqipëtar, në familjen e popujve europiane. Pra këtu nuk kemi ndonjë ndjesi të keqe, as ndonjë kompleks. Kjo eshtë e natyrshme. Evropa dihet që për një kohë të gjatë ka pasur një qëndrim që është gjykuar përfillës ose shpërfillës zakonisht për gjithë Ballkanin, sidomos për Shqipërinë. Për fat të mirë prej vitesh ajo është bërë e ndërgjegjshme, ka korigjuar mjaft gjëra ne këtë qëndrim, ka korigjuar gjërat themelore. Evropa, Aleanca atlantike, SHBA-të e ndihmuan kombin shqipëtar në mënyrë jashtëzakonisht të vendosur në një luftë të armatosur për të mbrojtur të drejtat e tij. Pra më duket se epoka që ne duhet të ankoheshim në përgjithësi për Evropën ka mbaruar.

Sigurisht që tani populli shqipëtar ndjehet gjithmonë e më tepër europian, sepse në një farë mënyre kemi qenë të përjashtuar nga ky kontinent, disa herë jemi përjashtuar nga fati dhe disa herë kemi përjashtuar vehten. Shqipëria komuniste në programin e saj kishte përjashtimin absolut të Evropës dmth. të quheshe europian në atë atë kohë do të thoshte të ishe mik me botën perëndimore, dmth me botën armiqësore. Prandaj për gjysëm shekulli ka qenë faji i Shqipërisë. Sot epoka ka ndryshuar tërësisht për të mirën tonë dhe tani marrdhënjet me Evropën janë themelore për mbarëvajtjen e vendit. A mund të bëjë Evropa akoma? Evropa po bën mjaft. Kuptohet, aksione të tilla, si rivendosja e ekuilibreve në Ballkan është një aksion kolosal që kushtëzohet nga shumë faktorë dhe Evropa i ndjek hapa pas hapi . Nuk është e lehtë, por dhe nuk është kaq e vështirë, mjafton të respektohen disa parime bazë të së drejtës universale, të lirisë universale.

DW: Në kohën që Evropa vërtet po afrohet, duket se shqiptarët e kanë kuptuar sikur vetëm Evropa e ka këtë detyrë. P.sh. në Shqipëri vazhdon agonia politike, zvarriten reformat, mungesë përgjegjësie në plotësimin e kriterëve që kërkojnë standartet e BE-së etjer? Cila është detyra e poltikës shqipëtare në këtë drejtim?

Kadare: Kjo tregon që në Shqipëri ka mbeturina që e trajtojnë Evropën si një hapësirë jo miqësore, ose si një hapësirë të huaj , ose si një hapësirë që na ka borxh gjithmonë dhe duhet të na rregullojë punët tona. Në qoftëse pretendojmë që të jemi një vend evropian, në radhë të parë e ndërtojmë ne vetë Evropën , brënda nesh dhe pastaj në mënyrë të natyrshme integrohemi në Evropë.

DW: Zoti Kadare , veprat e juaja madhore janë krijuar në kohën e një regjimi diktatorial. A ndikon regjimi, sistemi politik, tek krijuesi, pra cilat janë raportet e shkrimtarit me sistemin politik të vendit?

Kadare: Unë mendoj se teprohet gjithmonë ndikimi i një regjimi politik i një shteti , i një diktature apo i një demokracie mbi krijimtarinë letrare. Studjuesit, kritikët e kanë shumë komode të thonë që ndikon. E vërteta është ndryshe. E kam thënë shumë herë se letërsia ka ligjet e saj të cilat nuk përputhen me ligjet shoqërore. Letërsia është shpërfillëse për sistemet shoqërore, politike. Letërsia lind dhe zhvillohet në çdo kohë , në çdo regjim sado i ashpër të jetë, sado i butë të jetë, nuk luan ndonjë rol të madh në zhvillimin e saj. Shumë njerëz e teprojnë me këtë gjë dhe kanë shumë qejf edhe të kapen pas kësaj, pas sistemit shoqëror për të shpjeguar një letërsi . Letërsia mund të jetë e fortë ose e dobët në çdo sistem shoqëror. Mund të jetë e fortë në një regjim të keq dhe mund të jetë e dobët në një regjim demokratik. Shumica e librave që botohen sot , si këtu në Gjermani ku jemi, ku kemi një sistem demokratik dhe ka letërsi të mirë dhe të keqe apo edhe më të keqe, mediokre fare edhe pse është një sistem nga më të përparuarit në botë. Dhe po të ishte ashtu , që letërsia varet nga sistemi, atëherë gjithë sistemet e përparuara duhet të kishin letërsi të mrekullueshme dhe art të mrekullueshëm dhe sistemet e prapambetuar duhet të kishin të kundërtën. Por nuk është kështu, shpesh ndodh e kundërta.

DW: Veprat tuaja kane në fokus ngjarje historike. Kjo përzgjedhje ka ardhur si rrjedhojë e sisitemit ku jetonit, dhe e keni përdorur ndoshta si sfidë për tu distancuar nga ky sistem?

Kadare: Në rradhë të parë veprat që krijon një sistem janë vepra që i krijon letërsia , ligjet e letërsisë. Në qoftëse unë kam trajtuar tema historike, mund të ketë qenë edhe një shtysë për përpjesëtimin e tyre në veprën time, edhe një shtysë largimi nga aktualiteti, por ato do të krijoheshin edhe sikur regjimi të ishte ndryshe. Pra nuk mund të kushtëzohet gjithçka te një letërsi nga sistemi politik. Edhe ato libra historik fare mirë mund ti kisha shkruar edhe në qoftëse Shqipëria do ishte një shtet borgjez, ndoshta.

DW: Kur jemi te diktatura në Shqipëri, zoti Kadare, pas kaq vitesh , pas përmbysjes së komunizmit, qeveritë nuk kanë kërkuar falje për viktimat e sistemit komunist. A është normale kjo?

Kadare: Problemi dihet. Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, i ka kërkuar vendeve të ish Lindjes të dënojë krimet e komunizmit. Unë vetë kam folur disa herë për këtë gjë, disa herë janë keqkuptuar, janë pritur me nervozizëm. Për fat të keq Shqipërinë nuk e nderon kjo vonesë me dënimin e krimeve të komunizmit. Flitet shumë për korrupsion në Shqipëri. Me të drejtë, mendoj se një nga bazat më të thella të korruspionit është pikërisht kjo. D.m.th., ky mosdënim krimesh nuk është i kotë. Me sa duket ka një korrupsion në bazë , në thellësi, në themele të asaj që ndodh sot në Shqipëri, të ndërsjelltë midis palëve të ndryshme. Që të ketë ende një parlament, sic akuzohet, flas sipas atyre që shkruhet në shtyp ku ka njerëz të inkriminuar, ose të kenë partitë kryesore politike, ose administrata kryesore në Shqipëri, pra të ketë ende njerëz që nuk duhet të ishin dhe kjo vjen pikërsiht nga shkelja e këtij parimi .Ky është një parim i madh që e pastron një vend , është i detyrueshëm. Por gjenden gjithëfarë lloj alibish për të mos e kryer këtë detyrë morale që ka Shqipëria përpara Evropës, përpara botës. Dikush mund të thotë që kjo Shqipëri tani është tjetër nga ajo. Por ka mungesa që i bien borxh, jo vetëm sistemit që u varros, por i bien borxh historikisht një shteti. Dhe ky shtet që ka zevëndësuar shtetin e vjetër duhet të kryejë borxhet e tij morale ndaj kombit. Pra dënimi i krimeve duhet të kryhet sa më shpejt, sepse Shqipëria ka mbetur e fundit dhe nuk duhet të mbesi e fundit në këtë gjë. Neve shumë punë na kanë ecur mbarë, kemi ngjarje të gëzueshme, pavarësia e kosovës , Shqipëria kandidate për në NATO, afrimi në BE. Por mosdënimi i krimeve të komunizmit stonon, me këtë vrull , me këtë dëshirë që ka kombi shqipëtar për të ecur përpara. Dhe pastaj stonojnë edhe problemet e tjera të brëndshme që e pengojnë atë. Dhe ato janë të lidhura me njëra tjetrën. Ato bllokojnë në mënyrë të ndërsjelltë njëra – tjetrën.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika-Kelmendi më 24 qershor 2008

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>