Kadri Veseli – kryetar i parlamentit të Kosovës

Kadri VeseliParlamenti i Kosovës, zgjodhi me 62 vota për dhe 52 kundër kryetarin e parlamentit, duke përmbyllur seancën konstituive e cila filloi më 3 gusht, por u zvarrit për shkak të mungesës së votave të koalicionit fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën.

Mbledhja e sotme pasoi marrëveshjen e këtij koalicioni me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli pas së cilës “u krijua shumica parlamentare për konstituimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera.”.

Të mërkurën ata negociuan me përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët ngulën këmbë që të kenë tri ministri përfshirë edhe atë të bujqësisë, që fillimisht ishte ndarë për Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli.

Të hënën ishte arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe Aleancën Kosova e Re.

Marrëveshja u kritikua nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat thanë se një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se e njëjta do të jetë e varur nga Beogradi.

Kjo është hera e dytë që zoti Veseli zgjidhet në krye të parlamentit. Herën e parë ai u zgjodh në këtë post në dhjetor të vitit 2014, pas një krize politike që pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të atij viti.

Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga zoti Veseli.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës votuan kundër zgjedhjes së tij.

Qeveria mund të votohet të shtunën

Pak kohë pas përfundimit të mbledhjes së parlamentit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dha mandatin kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për formimin e qeverisë.

Nga momenti i mandatimit, kandidati për kryeministër duhet që brenda 15 ditësh të paraqesë kabinetin qeveritar.

Më herët, pak pasi u zgjodh në postin e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli paralajmëroi se parlamenti mund të mblidhet sërish të shtunën për të votuar qeverinë e Kosovës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>