Kadri Veseli (ri)zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

VeseliPas një ngërçi politik gati tremujor, më në fund u zgjodh kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Kadri Veseli fitoi dy vota më shumë se që ishte e domosdoshme.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi kryetarin dhe kryesinë, pas një ngërçi politik të krijuar tash e gati tre muaj, që nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mori 62 vota nga 114 deputetë sa ishin prezent në sallë. Kundër Veselit, votuan 52 deputetë të lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët ka kohë që kundërshtonin që Kadri Veseli të jetë edhe një mandat kryetar i Kuvendit.

Veseli “arkitekt i kapjes së shtetit”

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, tha se “Kadri Veseli së bashku me Presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, janë arkitektë të kapjes së shtetit” dhe kjo është arsyeja që, sipas tij, Vetëvendosje së bashku me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bojkotuan fjalimin e parë të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendi të Kosovës.

Kadri Veseli, në fjalimin e tij të parë, u zotua se “zyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë e hapur për secilën parti politike. Dallimet politike nuk mund të justifikojnë bllokimin e shtetit. Kuvendi duhet të kthehet nga vend i inateve personale në miratim ligjesh për zhvillim të vendit”, tha Kadri Veseli.

Qeveria votohet të shtunën

Veseli bëri të ditur se ditën e shtunë do të mbahet seanca e radhës e Parlamentit të Kosovës, ku pritet të votohet qeveria e Kosovës me kandidatin e koalicionit PAN-AKR, për kryeministër, Ramush Haradinaj. Mbështetjen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, e dhanë edhe deputetët e listës “Srpska”, mirëpo këta të fundit megjithëse tashmë zyrtarisht janë pjesë e koalicionit PAN-AKR, thanë se vendimi për mbështetjen edhe të qeverisë së Kosovës me kryeministër Ramush Haradinaj, duhet të merret pas konsultimeve me Beogradin zyrtarë.

“Në lidhje me formimin e Qeverisë së Kosovës ne do të vendosim pasi që do të konsultohemi me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe drejtorin e zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq”, tha pas seancës deputeti serb Igor Simiq.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe procedurave parlamentare, koalicioni PAN-AKR dhe pakicat duhet të emrojë kandidatin e përbashkët për formimin e Qeverisë së re. Kandidati i tyre është Ramush Haradinaj, i cili zyrtarisht duhet të marrë edhe miratimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Më pas Haradinaj duhet të paraqesë përbërjen e qeverisë dhe programin qeverisës, i cili duhet të miratohet nga Kuvendi. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>