Kryetarët e komunave veriore, këshilltarët komunalë dhe menaxhmenti i “Trepçës” në veri në një takim urgjent, në të cilin merrnin pjesë edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq dhe ministrat Dalibor Jevtiq e Lubomir Mariq, kanë vendosur që secili vendim për statusin juridik të “Trepçës” pa marrëveshje me Qeverinë e Serbisë do të jetë i pazbatueshëm në veri
Kryetarët e komunave veriore, këshilltarët komunalë dhe menaxhmenti i “Trepçës” në veri në një takim urgjent të premten, në të cilin merrnin pjesë edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq dhe ministrat Dalibor Jevtiq e Lubomir Mariq, kanë vendosur që secili vendim për statusin juridik të “Trepçës” pa marrëveshje me Qeverinë e Serbisë do të jetë i pazbatueshëm në komunat veriore të Kosovës.
Kryetarët e komunave veriore dhe këshilltarët komunalë të kuvendeve të këtyre komunave e kanë kundërshtuar ligjin dhe kanë kërkuar tërheqjen e tij nga procedura, duke u bërë thirrje institucioneve të Prishtinës që për këtë çështje të bisedojnë me menaxhmentin e “Trepçës” në veri dhe me përfaqësuesit e punëtorëve, gjegjësisht me Sindikatën e “Trepçës”.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se miratimi i Ligjit për “Trepçën” ekonomikisht rrezikon veriun e Kosovës. Ai ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që ta ndalojë këtë ligj, shkruan ‘Zeri’.
“Me Ligjin për ‘Trepçën’ dëshirohet që veriu i Kosovës të sillet në shkopin e lypësit. Vendimet e njëanshme të cilat do të sillen pa biseduar me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, me Sindikatën dhe me menaxhmentin e ‘Trepçës’ i konsiderojmë të pazbatueshme dhe ato vendime nuk do të jetë e mundur që të zbatohen në veri të Kosovës e Metohisë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, ka thënë Rakiq.
Rakiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që ta japë kontributin e vet dhe të pengojë miratimin, siç ka thënë Rakiq, “e këtij vendimi skandaloz”.
Ndërkaq, protestat e punëtorëve të “Trepçës”, të cilëve u janë bashkuar edhe studentët, kanë vazhduar edhe të premten. Protesta e studentëve dhe e punëtorëve, që është organizuar në të tretën ditë me radhë, mbahet në Rudare, si dhe në Leposaviq.
Udhëheqja e studentëve ka ftuar studentët që në numër më të madh t’i përgjigjen protestës, e cila, siç kanë thënë ata, “mund të jetë luftë vendimtare për mbetjen e popullit serb në Kosovë e Metohi”. /ZERI