Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën në Prishtinë Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën në Prishtinë se parlamenti duhet të jetë vend i debateve e jo i gazit lotsjellës dhe dhunës, ndërsa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin kurrë asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe dy zëvendësit e tij Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviç, me të cilët u takua ne aeroportin e Prishtinës.
Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha e marrëveshjet e arritura në këtë proces ishin vendime të vështira politike.
“Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha sekretari Kerry.
Ai bëri thirrje që debatet të zhvillohen në parlament që duhet të jetë tempull i demokracisë dhe jo vend ku hidhet gazi lotsjellës.
“Dhuna është e papranueshme dhe Parlamenti duhet të jetë vendi ku duhet të debatohet”, tha sekretari Kerry, duke theksuar se Kosova ka shënuar përparime në procesin e integrimeve euroatlantike dhe nënshkrimi i MSA-së paraqet një të arritur të rëndësishme.
Ai tha se Kosova duhet të përmbushë zotimin e saj për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.
Sekretari Kerry beri thirrje që udhëheqësit e Kosovës të luftojnë korrupsionin, ndërsa u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah Kosovës në të gjitha proceset.
“Kosova ka dhënë shembull të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit”, tha zoti Kerry, i cili nga Prishtina shkon në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku pritet të mbizotërojë gjendja në Siri, përballja me grupin militant Shteti Islamik dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga gjendja në Lindjen e Mesme. (voa)