Kësaj Qeverie po i vjen fundi

albin kurtiIsh-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Kurti ka thënë se kjo Qeveri kuislinge e ka më mirë të dorëhiqet sesa të rrëzohet. Ai ka treguar arsyet pse Qeveria Mustafa duhet të bjerë. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se asnjëri prej shtatë kapitujve të Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq të 25 gushtit 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se janë shkelur gjithsej 23 nene të Kushtetutës. Prandaj, aktgjykimi i këtillë shënon vdekjen e ‘Zajednicës’. ‘Zajednica’ ka vdekur, mirëpo kjo Qeveri po aspiron ta ringjallë ‘Zajendicën’ kundërkushtetuese porsi një zombi. Kjo është arsyeja pse kjo Qeveri duhet të bjerë. Ajo nuk e pranon gabimin dhe ajo nuk ndjen as pendesë e as keqardhje. Arsyeja tjetër pse kjo Qeveri duhet të shkojë është insistimi i saj në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk e shkarkoi komisionin përkatës dhe tash premton komisione të reja, ndërkohë që i gëzohet cilido deklarim ndërkombëtar që përkrah humbjen e 9 000 hektarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se kësaj Qeverie po i vjen fundi, duke përjashtuar mundësinë e një Qeverie kalimtare. “S’ka rrugë tjetër. 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme. Pra, deri në largimin e kësaj Qeverie represive e shfrytëzuese përbrenda shtetit dhe koncesioniste e kapitulluese ndaj shteteve të tjera jashtë. Durimit të qytetarëve po i vjen fundi. Pra, kësaj Qeverie po i vjen fundi. Ne nuk kemi nevojë edhe për një Qeveri tjetër kalimtare sepse Qeveria Thaçi – Mustafa është Qeveri kalimtare. Pas largimit të kësaj Qeverie, e cila është kuislinge politikisht dhe compradore ekonomikisht, duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje të reja parlamentare. Nuk mund të ketë Republikë përderisa interesat private ndodhen mbi të mirën publike. Pra, nuk mund të ketë Republikë të Kosovës përderisa kjo Qeveri është mbi Kosovën”, është shprehur Kurti.
Se sa janë gjasat që tri partitë opozitare të shkojnë në zgjedhje të reja me një listë të përbashkët, Kurti thotë se një gjë është e mundshme. “Është e mundshme, por ende është herët të flitet për këtë çështje. Tash për tash ne jemi të përqendruar te pjesëmarrja qytetare në protesta e jo te parashikimet elektorale. Opozita e bashkuar duhet të fitojë duke e larguar këtë Qeveri para çfarëdo fitoreje tjetër, qoftë ajo edhe elektorale”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se mundësia e fitores së opozitës së bashkuar në vitin 2016 është shumë reale. “E mbani mend qysh në vitet e shkuara, shpesh na thuhej se jemi ende të vegjël krahasuar me PDK-në e LDK-në. Mirëpo, viti që shkoi ishte viti i fuqizimit tonë si asnjëherë më parë. Në vitin e kaluar Lëvizja jonë ishte subjekti që përcaktonte diskursin publik e politik në Kosovë dhe ishim aktivë çdo orë të secilës ditë. Mund të themi se viti 2015 e dëshmoi fjalën e urtë popullore, se ‘i vogli rritet, kurse i rrituri plaket’. Pikërisht kjo ka ndodhur, Lëvizja jonë është rritur, ndërsa PDK-ja e LDK-ja janë plakur. Dhe këta dy pleq u bënë bashkë kundër këtij të riu të rritur. Rezultati i kësaj ndeshjeje dihet. Koha e dëshmon”, ka thënë ish-kryetari Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti.
Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit president. Kurti ka thënë se muaji prill është aq larg pasi, sipas tij, ky regjim është kaq i dobët saqë qysh tash muaji prill ngjan si një prill i thyer. “Mustafa dëshiron ta zgjedhë Thaçin për president të Kosovës në mënyrë që ai për vete të mbetet kryeministër. Mirëpo, sa deputetë të LDK-së do ta ndiqnin atë në këtë aventurë personale mund të mos e marrim vesh kurrë, për shkak se shumëçka tregon se Qeveria e tij do të bjerë më herët. Merreni me mend se çfarë i bëri Mustafa LDK-së: para një viti ua kërkoi votën deputetëve të LDK-së për Kadri Veselin kryeparlamentar, tash po ua kërkon votën për Thaçin president! Tani që po e arrin moshën e pensionimit, i ka mbetur vetëm edhe ta marrë librezën e PDK-së”, ka thënë Kurti.

“Epoka e re”: Z. Kurti, Kosova kaloi një vit me plot sfida dhe përballje si asnjëherë më parë në mes të pozitës dhe opozitës. Ndodhën arrestime të deputetëve të opozitës. A mendoni se edhe 2016-ta do të jetë një vit i sfidave apo ky vit do të sjellë ndryshime?
Kurti:
Konsensusi i koalicionit PDK-LDK-Srpska është moçal që ia sjell malarien popullit të Kosovës. Ballafaqimi me ta bëhet lumë që rrjedh prej qytetarësh duke ua shpëtuar atyre edhe jetën, edhe Republikën. Viti 2015 ishte vit i opozitës së bashkuar, prej 3 shkurtit kur u shkarkua Jabllanoviqi e deri më 23 dhjetor kur vdiq ‘Zajednica’. Me protesta brenda e jashtë Kuvendit u kritikua e u kundërshtua, u denoncua e u kontestua ‘Zajednica’, derisa edhe vetë Gjykata e kapur Kushtetuese shpalli vdekjen e saj. Viti 2015 ishte përgatitje për vitin 2016. Viti 2016 do të nisë me pamundësimin e ringjalljes së ‘Zajednicës’, me të cilën kjo Qeveri e ka lidhur fatin e vet. Viti 2016 do të nisë me mbrojtjen e rreth 9 000 hektarëve tokë të Kosovës, të cilat Qeveria ka pranuar t’ia dhurojë Malit të Zi. Ne nuk kemi as tokë për të falur e as shtet për të gjymtuar. Ne kemi Republikë për të mbrojtur dhe Qeveri për ta rrëzuar. Detyra para nesh është e vështirë, mirëpo me nder e kënaqësi e kemi pranuar atë.

“Epoka e re”: Tri partitë opozitare kanë nisur përgatitjet për protestën e 9 janarit. Çfarë synon opozita nëpërmjet kësaj proteste?
Kurti:
Opozita e bashkuar e synon atë që e thotë: mbrojtjen e Republikës së Kosovës nga tradhtarët që kanë bërë ‘Zajednicë’ me Serbinë, kurse Malit të Zi ia bënë peshqesh 9 000 hektarë. Kjo Qeveri kuislinge duhet të shkojë. Ajo i ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin. Ne themi se më mirë është që ajo të dorëhiqet sesa të rrëzohet. Dhe, më mirë qysh nesër, sesa pasnesër. Me dy partitë e tjera opozitare, AAK-në dhe Nismën, jemi të vendosur të mos ndalemi për synimin që na ka bashkuar. Të shtunën, më 9 janar, do të bëjmë grumbullim paqësor fillestar te Biblioteka Kombëtare e Kosovës në orën 14:00, mandej kemi marsh paqësor nëpër rrugën ‘Nëna Terezë’, për ta mbajtur në fund protestën paqësore te Sheshi ‘Skënderbeu’, para ndërtesës së Qeverisë. Protesta e së shtunës është protestë për demokraci dhe sovranitet në shtetin e Kosovës, për drejtësi e liri për qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Ju jeni në arrest shtëpiak deri më 17 shkurt, në  një datë që ka domethënie, se është përvjetori i pavarësisë së Kosovës, por edhe arrestimi juaj ndodhi më 28 nëntor, edhe kjo një datë që ka domethënie për të gjithë shqiptarët. Është kjo rastësi apo e mirëmenduar, pasi në opinion është folur se ka qenë plani juaj të arrestoheni më 28 nëntor dhe lirimi juaj do të ndodhë më 17 shkurt?
Kurti:
Sa më shumë që veprojnë policia, prokuroria dhe gjyqësia kundër opozitës aq më shumë duket mosveprimi i tyre ndaj korrupsionit qeveritar, kriminelëve serbë të luftës, krimit të organizuar dhe strukturave shtetërore paralele të Serbisë. Kur ne themi se Kosova është shtet i kapur atëherë ne pikë së pari mendojmë në kapjen e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. Arrestimi im më 28 nëntor u bë për shkak të atyre që më arrestuan, pra për shkak të Policisë së Kosovës. Ata nuk më patën arrestuar në protestën e 18 nëntorit, edhe pse më panë aty. Ata më patën liruar tri orë pas kidnapimit më 12 tetor. Pra, Policia e Kosovës duhet të përgjigjet pse vendosi të më arrestojë pikërisht më 28 nëntor, madje duke përdorur edhe njësitet anti-terror. Në fjalimin tim më 28 nëntor nuk ka pasur asnjë thirrje për dhunë a terror që ata t’i mobilizojnë ato forca kundër meje mu në festën kombëtare të 28 nëntorit. Qartazi, policët e Kosovës, prej kordonëve të tyre në seancat e Kuvendit e deri te mësymja ndaj neve, aktivistëve e deputetëve opozitarë, nuk janë as policë të Kosovës e as mekanizëm shtetëror, por truproja të Qeverisë dhe bandë e regjimit. Ndërkaq, më datën 17 dhjetor, derisa unë isha në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc (Dyz), Gjykatësi i Gjykatës Themelore, Beqir Kalludra, ma vazhdoi paraburgimin edhe për dy muaj, pra deri më 17 shkurt 2016.  Nuk e di pse ai u ngut të ma vazhdojë paraburgimin më 17 dhjetor, përderisa paraburgimi i atëhershëm vlente deri më 28 dhjetor!? Dhe, nuk e di pse këtë nuk e bëri më 16 apo 18 dhjetor, por pikërisht më 17 dhjetor dhe, për pasojë, ky paraburgim përfundon më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e tetë të shpalljes së pavarësisë?! Rrjedhimisht, në pyetjen tuaj duhet të përgjigjet Policia e Kosovës (dhe kryeministri e ministri i Brendshëm sepse pa dijeninë e tyre nuk besoj të jenë përdorur forcat elitare anti-terror kundër meje), si dhe Gjykata Themelore, përkatësisht gjykatësi Beqir Kalludra.

“Epoka e re”: A do të merrni pjesë në protestën e 9 janarit?
Kurti:
Se çka është më mirë dhe më e dobishme të bëj, e vlerësoj më vonë dhe bashkë me strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje!, si dhe në koordinim me opozitën e bashkuar në përgjithësi. Jetojmë në një kohë intensive. Një ditë në muajin janar të këtij viti mund të vlejë sa një vit në kohë të tjera.

“Epoka e re”: Z. Kurti, pse qytetarët kanë arsye t’i përgjigjen kësaj proteste, pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë një aktgjykim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po ashtu Qeveria ka bërë me dije se do të jetë e gatshme për të formuar një komision për Demarkacionin, ku do t’i dërgonte edhe opozita përfaqësuesit e saj. Edhe pas kësaj, mendoni se duhet të protestohet?
Kurti:
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se asnjëri prej shtatë kapitujve të Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq të 25 gushtit 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se janë shkelur gjithsej 23 nene të Kushtetutës. Prandaj, aktgjykimi i këtillë shënon vdekjen e ‘Zajednicës’. ‘Zajednica’ ka vdekur, mirëpo kjo Qeveri po aspiron ta ringjallë ‘Zajendicën’ kundërkushtetuese porsi një zombi. Kjo është arsyeja pse kjo Qeveri duhet të bjerë. Ajo nuk e pranon gabimin dhe ajo nuk ndjen as pendesë e as keqardhje. Arsyeja tjetër pse kjo Qeveri duhet të shkojë është insistimi i saj në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk e shkarkuan komisionin përkatës dhe tash premtojnë komisione të reja, ndërkohë që i gëzohen cilido deklarim ndërkombëtar që përkrah humbjen e 9 000 hektarëve të Kosovës. Shumë saktë e ka thënë Prof. Zejnullah Gruda: ‘Problemi i demarkacionit s’është problem i pronave private, por i ndarjes së sovraniteteve’. Natyrisht që ka edhe pafund arsye të tjera në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe atë socio-ekonomike, që u thonë qytetarëve se kjo Qeveri duhet të shkojë. Dhe të gjitha këto arsye janë më së të mjaftueshme që qytetarët masivisht të dalin në protestën e 9 janarit, pa dallim moshe a gjinie, pa dallim rajoni a partie.

“Epoka e re”: Çfarë nëse protesta e 9 janarit nuk e largon këtë qeverisje? Cila do të jetë rruga tjetër e opozitës, zgjedhjet e parakohshme apo një qeveri teknike-kalimtare?
Kurti:
Nuk mund të fitojë autoritarizmi mbi demokracinë, arbitrariteti mbi kushtetushmërinë, uzurpimi mbi sovranitetin. S’ka rrugë tjetër. 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme. Pra, deri në largimin e kësaj Qeverie represive e shfrytëzuese përbrenda shtetit dhe koncesioniste e kapitulluese ndaj shteteve të tjera jashtë. Durimit të qytetarëve po i vjen fundi. Pra, kësaj Qeverie po i vjen fundi. Ne nuk kemi nevojë për edhe një Qeveri tjetër kalimtare sepse Qeveria Thaçi – Mustafa është Qeveri kalimtare. Pas largimit të kësaj Qeverie, e cila është kuislinge politikisht dhe compradore ekonomikisht, duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje të reja parlamentare. Nuk mund të ketë Republikë përderisa interesat private ndodhen mbi të mirën publike. Pra, nuk mund të ketë Republikë të Kosovës përderisa kjo Qeveri është mbi Kosovën.

“Epoka e re”: Z. Kurti, a mund të shkojnë në një listë të përbashkët LV-ja, AAK-ja dhe Nisma? Sa do të ishin gjasat që këto parti së bashku të dalin fitimtare në zgjedhjet, kurdo që vendosen ato të mbahen?
Kurti:
Është e mundshme, por ende është herët të flitet për këtë çështje. Tash për tash ne jemi të përqendruar te pjesëmarrja qytetare në protesta e jo te parashikimet elektorale. Opozita e bashkuar duhet të fitojë duke e larguar këtë Qeveri para çfarëdo fitoreje tjetër, qoftë ajo edhe elektorale. Mundësia e fitores sonë në vitin 2016, në të cilin porsa hymë, është shumë reale. E mbani mend qysh në vitet e shkuara, shpesh na thuhej se jemi ende të vegjël krahasuar me PDK-në e LDK-në. Mirëpo, viti që shkoi ishte viti i fuqizimit tonë si asnjëherë më parë. Në vitin e kaluar Lëvizja jonë ishte subjekti që përcaktonte diskursin publik e politik në Kosovë dhe ishim aktivë çdo orë të secilës ditë. Mund të themi që viti 2015 e dëshmoi fjalën e urtë popullore se ‘i vogli rritet, kurse i rrituri plaket’. Pikërisht kjo ka ndodhur, Lëvizja jonë është rritur, ndërsa PDK-ja e LDK-ja janë plakur. Dhe, këta dy pleq u bënë bashkë kundër këtij të riu të rritur. Rezultati i kësaj ndeshjeje dihet. Koha e dëshmon.

“Epoka e re”: Koalicioni qeverisës PDK – LDK në prill do të bëjë përpjekje ta zgjedhë kandidatin për president, në këtë rast z. Thaçi, ashtu si e kanë marrëveshjen. Me këtë rrjedhë të situatës politike që ka vazhduar, PDK-ja e LDK-ja a do të mund ta zgjedhin Thaçin president?
Kurti:
Prilli është aq larg dhe ky regjim është kaq i dobët saqë qysh tash muaji prill ngjan si një prill i thyer. Mustafa dëshiron ta zgjedhë Thaçin për president të Kosovës në mënyrë që ai për vete të mbetet kryeministër. Mirëpo, sa deputetë të LDK-së do ta ndiqnin atë në këtë aventurë personale mund të mos e marrim vesh kurrë, për shkak se shumëçka tregon se Qeveria e tij do të bjerë më herët. Merreni me mend se çfarë i bëri Mustafa LDK-së: para një viti ua kërkoi votën deputetëve të LDK-së për Kadri Veselin kryeparlamentar, ndërsa tash po ua kërkon votën për Thaçin president! Tani që po e arrin moshën e pensionimit, i ka mbetur vetëm edhe ta marrë librezën e PDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>