Këto janë pikat e rezolutës që pritet të miratohet nga Kuvendi

Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosovës pritet që në pjesën e dytë të seancës së sotme të votoj rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi paraprakisht në pjesën e parë të kësaj seance Kuvendi ka hedhur poshtë rekomandimet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje si parashtruese e kërkesës për interpelancën e kryeministrit, shkruan zeri.info

Rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së:

Rezolutë për të vënë drejtësi për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuar ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton dhe përsërit përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për bashkëpunim dhe integrim në strukturat dhe mekanizmat euroatlantike si dhe shprehë gatishmërinë për të vazhduar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesimin procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Republika e Kosovës është dhe mbetet partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm në kuadër të partneritetit euro-atlantik dhe i përkushtohet pa kompromis zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin se edhe me kalimin e më shumë se një dekade pas përfundimit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, gjenocidi dhe krimet e luftës ndaj popullatës së Kosovës nuk janë ndëshkuar. Dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës nuk janë kompozuar si dhe fati i shumë personave të zhdukur gjatë luftës ende nuk është ndriçuar. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh keqardhje që edhe institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtar, brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës nuk kanë kontribuar mjaftueshëm në adresimin e këtyre çështjeve që janë aq të ndjeshme dhe të rëndësishme për popullin e Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton se kryerja e krimit të gjenocidit si dhe të krimeve kundër njerëzimit gjatë luftës janë shkeljet më të rënda të normave të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare. në kuadër të kësaj Kuvendi i Republikës së Kosovës i referohet instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e krimit të gjenocidit. Kuvendi i Republikës së Kosovës poashtu i referohet Konventës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Focë e cila garanton të drejtën për të ditur për fatin e personave të zhdukur.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh bindjen se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës kanë për detyrë që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për të vënë drejtësi për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës në pajtim me të gjitha të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare në përgjithësi. Kuvendi i Republikës së Kosovës poashtu shpreh bindjen se procesi i drejtësisë tranzicionale jo vetëm që do të kontribuoj në vënien e drejtësisë, por edhe do të nxisë përafrimin dhe pajtimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, në dobi të një shoqërie të qëndrueshme që respekton dhe jeton sipas vlerave dhe parimeve euro-atlantike.

5. Duke i marrë parasysh të gjitha qëndrimet dhe pikëpamjet të thëna më sipër, Kuvendi i Republikës së Kosovës obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të merrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të filloj të gjitha procedurat e mundshme politike dhe juridike qofshin ato vendore apo ndërkombëtare për të vënë drejtësi për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës. /Zëri/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>