Mehmeti ka thënë se mesazhin e diplomatëve të huaj e dimë, por nuk dimë dhe të na tregojnë ata se me çfarë parametri demokratik i pranojnë ‘hajdutët’ si partner.
Shkrimtarit dhe analisti Kim Mehmetit duke u ndërlidhur me ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, në një postim në Fb, ka theksuar se e dimë se çka është sjellje demokratike e çka jo, por nuk kuptojmë se si të korruptuarit mbesin partner të diplomatëve e ambasadave të huaja dhe se si ende kanë përkrahjen e tyre.
Në vazhdim postimi i plotë i Mehmetit:
“Pasi u thyen të gjitha vezët që e goditën Kryeministrin e Kosovës, shumë diplomatë të huaj, na e thanë atë që e dimë: se dhuna nuk bënë pjesë në betejat parlamentare! Me çka na e përcollën edhe porosinë që nuk e thanë, por që ne gjithashtu e dimë: se ata kurrë nuk do bashkëpunojnë dhe nuk do i përkrahin ‘demokratët’ e dhunshëm!
Në ndërkohë, po këta diplomatë, kurrë nuk na shpjeguan se sipas cilit parametri demokratik, ata i pranuan si partner të tyre të besueshëm hajnat tanë, hajdutët tanë që na i vodhën edhe pulat e fshatit, ata që akuzohen për hajdutëri e ryshfetmarrje, por të cilëve nuk u lëvizë qerpiku për këtë dhe vazhdojnë të jenë mysafirë të ‘nderuar’ nëpër ambasadat e huaja, ata që e shkelën dhe e plaçkitën popullin e vet, duke u mbuluar edhe me përkrahjen që kishin nga ‘miqtë’ e tyre Perëndimor, ata që “Shqipëritë” tona i lanë pa të rinj, që do mund dinjitetshëm të protestonin, ata që “Shqipëritë” tona i bënë vende ku pulat këndojnë si gjelat, e ku nga gjelat pritet që të bëjnë vezë dhe ku, politikanët ia vjedhin pulës vezën ende pa rënë ajo në tokë!
Shkurt e shqip: ne jo se nuk e dimë se çka është e çka nuk është sjellje demokratike, por nuk e dimë si të shpëtojmë nga ata të cilëve, sa herë që ne u themi se janë hajdut e diktatorë, ata na i nxjerrin nga xhepi fotografitë, ku shihen përkrahë diplomatëve të famshëm të huaj, duke e dëshmuar kështu se nuk janë më nën sundimin tonë, por nën mbrojtjen e qendrave ‘demokratike’ të botës!”
Dhe pa dyshim, të gjithë ne jemi përgjegjës për rendin shoqëror në vendet tona, si dhe për bartjen e vezëve që kemi me veti, por duhet dikush të ndjejë përgjegjësi për destruktivitetin e atyre që në fillim ne i votojmë dhe të cilët, posa bëhen pjesë e ‘hajdutërisë’ globale, ngrihen në rrafshin e partnerëve të pazëvendësueshëm në ndërtimin e ‘demokracisë’, por ama, të demokracisë së paraparë vetëm për këtë pjesë të Ballkanit!” (Kim Mehmeti)