Komisioni i Venecias jep përgjigje mbi procesin e vetingut në Kosovë

AlbinMinistrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, tha të shtunën se Komisioni i Venecias i është përgjigjur pozitivisht nismave të qeverisë së vendit për reformim të sistemit të drjetësisë nëpërmjet vetingut dhe themelimit të byrosë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

 

Zonja Haxhiu tha në një konferencë për media se të dy këto nisma janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit në seancën e mbajtur të premten.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori nëpërmjet një mekanizmi të jashtëm, pra niveleve si Këshili Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe kryetarët e të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive themelore. Pastaj do të vazhdohet me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshillat tashmë të verifikuar”, tha ajo.

Zonja Haxhiu tha se në projekt opinionin e Komisionit të Venecias, i cili pritet të publikohet javën që po vjen, thuhet se një reformim tërësor i sistemit të drejtësisë në Kosovë, duket se është përgjigje për problemet si mungesa e besimit, korrupsioni gjyqësor, stërzgjatja e gjykimeve, mungesa e efikasitetit të mekanizmave disiplinor, nepotizmi e së fundi edhe problemet me përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri te shtetit.

Ndërkaq sa i takon projektligjit për byronë për verifikimin dhe kofiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, zonja Haxhiu tha se në opinionin e Komisionit të Venecias thuhet se korrupsioni është një problem serioz e sistemaik andaj lufta kundër tij duhet të rritet dhe konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm në këtë drejtim.

“Pra Komisioni i Venecias njeh mekanizmin për konfiskim me bazë civile dhe jep sugjerime se si një mekanizëm i tillë do të duhej fuqizuar dhe i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar e më pas konfiskimin përfundimtar do ta kryejë gjykata”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është fillimi i ri për sundimin e ligjit në Kosovë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në këtë sistem.

“Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të ministrisë së Drejtësisë në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias. Çdo gjë që kërkohet nga qeveria e Republikës së Kosovës, do t’i dërgohet kuvendit në një afar rekord, pasi që reforma në drejtësi nuk pret më e qytetari më nuk mund të durojë”, tha kryeministri Kurti.

Nisma e qeverisë së Kosovës për procesin e vetingut është përcjellur me kundërshtime nga pjesëtarë të disa organizatave joqeveritare, parti opozitare dhe diplomatë të huaj. Në raportin e fundit të progresit nga Komisioni Evropian thuhet se “rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet shqetësim serioz”.

Organizatat që vëzhgojnë punën e sistemit të drejtësisë, vazhdimisht bëjnë thirrje që vetingu në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë të bëhet me konsensus ndërmjet partive politike e institucioneve të drejtësisë dhe në bashkërendim të plotë me komunitetin ndërkombëtar.

Organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë ta paraqesin sistemin e drejtësisë në Kosovë si të brishtë, me mungesë të besimit nga ana e qytetarëve dhe të ndikuar nga politika.

Vetingu është proces që synon shqyrtimin e së kaluarës së bartësve të sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda sistemit gjyqësor e prokurorial të vendit.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>