Kongresmeni Dana Rohabacher: Kosova ka fituar zero nga marrëveshja

Kongresmeni Dana RohrbacherMe marrëveshjen me Serbinë, Kosova ka hequr dorë nga pjesa veriore e saj, thotë kongresmeni republikan, Dana Rohrabacher. Sipas tij, marrëveshja nuk sjell paqe afatgjate në rajon. Në favor të kësaj do të ishte rregullimi i kufijve, thotë Rohrabacher për Radion Europa e Lirë.

Zoti Rohrabacher, si e vlerësoni marrëveshjen e fundit midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq?

Para së gjithash, dua të vlerësoj lart të gjithë ata që kanë marrë pjesë, administratën tonë, miqtë evropianë, ashtu si edhe Serbinë dhe Kosovën, për arritjen e një rezultati, të cilin e cilësojnë si më të mirin. Ky është hapi i parë. Po ashtu duhet të duartrokasim kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë që janë ulur pranë njëri-tjetrit, kanë folur me njëri-tjetrin për rrugët kah të shkojnë. Kjo është pozitive. Megjithatë, kjo marrëveshje, përveç që tregon se njerëzit mund të flasin së bashku, nuk përmban ndonjë substancë që mund ta bëjë premtuese paqen. Në fakt, sipas të gjitha gjasave, do të minimizojë shanset për paqe dhe qetësi përgjatë kufirit.

Mund të na shpjegoni përse mendoni kështu?

Të pranojmë se Kosova nuk ka marrë absolutisht asgjë për atë që ka dhënë. Ajo çfarë ka dhënë është e drejta për të qeverisur pjesën veriore të vendit dhe dy komunitetet brenda tij. Kosova nuk kanë fituar sovranitet, përkundrazi. Kjo marrëveshje minon kërkesën e Kosovës për sovranitet, sepse nuk i jep autoritetin për të ushtruar sovranitetin.Nëse arrini marrëveshje, e cila nuk ju mundëson që në praktikë të realizoni sovranitetin, atëherë nuk keni sovranitet. Andaj, Kosova, në esencë, ka dhënë veriun.Megjithatë, nuk them se nuk është dashur ta bëjë një gjë të tillë. Mendoj se banorët e veriut të Kosovës, të cilët këtu janë në pyetje, duhet ta kishin të drejtën për vetëvendosje. Do të duhej të kishte votime dhe njerëzit në veri, me siguri 90 për qind e tyre, do të votonin për të qenë pjesë e Serbisë. Dhe, Kosova ka pasur shansin e vërtetë që të marrë diçka në këmbim të kësaj. Ka grupe të kosovarëve në Serbi që duan të jenë pjesë e Kosovës.

Mendoni në Luginën e Preshevës?

Po, ndoshta edhe në pjesë të tjera, por kryesisht në Luginën e Preshevës. Do të mund të bënin një shkëmbim të barabartë të territoreve dhe të popullsisë nëse do të pajtoheshin për rregullimin e kufijve. Por, në vend të kësaj, kanë marrë asgjë, zero.Tani, madje, nuk mund të dërgojnë as policinë në pjesën veriore të vendit, nuk mund të dërgojnë ushtrinë e tyre, nuk do të kenë gjyqtarë që do të zgjidhen nga qeveria e tyre; ata do të zgjidhen nga serbët në veri. Kjo është humbje e madhe e sovranitetit për Kosovën.

Por, në debatin e fundit të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilin e keni udhëhequr ju, janë dëgjuar qëndrime të kundërta me këtë që thoni, për shembull nga kongresisti Eliot Engel, analisti Daniel Serwer, të cilët kanë thënë se shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë do të paraqiste rrezik për Bosnjën, Maqedoninë dhe madje për vetë Serbinë…

Kjo është e pakuptimtë. Gjithmonë ka një justifikim për të mos bërë diçka. Ka shumë shembuj, ku njerëzit kanë ndryshuar kufijtë e tyre. Çekët dhe sllovakët e kanë bërë një gjë të tillë. Keni Bangladeshin që ka shpallur pavarësinë. Dhe, keni Kosovën. Andaj, këto kundër-argumente që kujtoni, do të ishin argumente kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atëherë, të gjithë në botë do të donin të shpallnin pavarësinë, baskët dhe kushdo tjetër. Por, jo. Kjo është një çështje midis serbëve dhe kosovarëve. Rregullimi i kufijve midis këtyre dy vendeve është punë e tyre – nuk është e askujt tjetër në botë, është e tyre. Por, lojtarët e tjerë përdorin taktika të frikshme për t’i bërë kosovarët që të pranojnë marrëveshje kundër tyre.
Ku do të ishte fundi i këtyre ndryshimeve? Çfarë do të thoshte Sanxhaku, një pjesë e Serbisë, e dominuar me boshnjakë? Mund të thotë edhe ai se do që të jetë pjesë e Bosnjës…

Ky është një problem krejt tjetër. Para se cilado pakicë kombëtare të mendojë në një gjë të tillë, në ndarje nga një shtet, duhet të përmbushë disa kushte. Duhet të jetë shumicë dhe të ndodhet në periferi të shtetit dhe jo në brendi të tij, sepse në të kundërtën, nuk do të kishte kuptim. Por, nëse njerëzit jetojnë në periferi të një shteti dhe duan të shpallin pavarësinë, nuk mund të bëni asgjë – sepse, nëse i ndaloni, do të keni konflikte afatgjata me ta.

T’i kthehemi marrëveshjes… Keni dëgjuar se serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar protesta, bllokada, bojkotim të zgjedhjeve të ardhshme lokale…

Të gjitha grupet do të jenë të zemëruara me këtë marrëveshje, sepse ajo nuk bën përpjekje të realizojë qëllimin fundamental moral, por përfaqëson vetëm një mënyrë politike të shmangies së konfliktit të menjëhershëm. Pra, bëhet fjalë vetëm për lojëra politike, që nuk do të sjellin paqe dhe stabilitet të përhershëm. Një gjë të tillë, madje edhe tani, e tregojnë disa grupe etnike dhe për këtë duhet menduar seriozisht. Andaj, nëse ekzistojnë dy komunitete pakicë, njëri në Kosovë, tjetri në Serbi, prej të cilëve njëri nuk do të jetë pjesë e Kosovës, ndërsa tjetri nuk do të jetë pjesë e Serbisë, përse të mos korrigjohen kufijtë, në mënyrë që këto dy komunitete të jenë të kënaqura. Askush tjetër në rajon nuk do të shqetësohej.

Autoritetet serbe, sidomos kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të pranojnë marrëveshjen, duke thënë se Serbisë nuk i duhen më luftëra, as viktima…

Këto janë mesazhet e tyre, që bëjnë përpjekje të tregojnë një atmosferë të mirë, sepse ata kanë fituar çdo gjë që kanë dashur. Serbët tani kanë një rajon autonom në veri, ku kosovarët nuk mund të çojnë ushtrinë as policinë, ku gjyqtarët e tyre nuk mund të marrin vendime; çdo gjë u është lënë serbëve lokalë dhe kosovarët nuk mund të ushtrojnë sovranitetin me forcat e tyre. Natyrisht që udhëheqësit serbë do të flasin në këtë mënyrë, por, një ditë, kur gjërat të shkojnë pak më tutje, do të keni forca politike në Serbi që do të manipulojnë me veriun e Kosovës dhe me komunitetin e atjeshëm serb. Kështu që ai problem do të shfaqet sërish. Por, ky zhvillim i ngjarjeve ka mundur të ndalohet. Njeriu vërtet pyetet se çfarë kuptimi ka që të ndalohen dy grupe njerëzish që të jetojnë atje ku duan të jetojnë. Çfarë kuptimi ka të detyrohen të jetojnë atje ku nuk duan, të jetojnë në vendin tuaj, nëse e dini se për një gjë të tillë, gjithmonë do të prodhojnë probleme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>