Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha sot se mandati i Gjykatës së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë nuk ka skaduar dhe se çdo shpjegim tjetër është i pasaktë.
Ai i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi online me gazetarë, duke vlerësuar pohimet se mandati i gjykatës ka skaduar tashmë.
Në muajin gusht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka kërkuar nga parlamenti i Kosovës që të zgjas mandatin e Gjykatës.
Sipas amandamentit të Kushtetutës së Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015, “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët”.
Por, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftojë për një gjë të tillë institucionet e Kosovës.
Ambasadori Kosnett tha të enjten se Kosova dhe rajoni kanë nevojë për shumë dhe jo më pak drejtësi. Gjykata e Posaçme, tha ai, është e Kosovës dhe duhet të bëjë punën e saj pa ndërhyrje ndërsa nënvizoi se mandati i saj nuk ka skaduar.
“Nuk ka ndonjë mekanizëm legal për parlamentin që ta vazhdojë. Ky është kuptimi im i situatës. Qeveria ime beson se veprimi i gjykatës mbeten legal, ligjërisht i detyrueshëm dhe se çdo sugjerim që mandati i gjykatës ka skaduar është shpjegim i pasaktë”, tha ai.
Ambasadori Kosnett tha se është me rëndësi që të respektohet puna e gjykatës dhe se nuk pret të ketë probleme pas arrestimeve të ditëve të fundit.
“Mendoj që udhëheqësit e Kosovës e kanë bërë të qartë që ky është qëndrimi i tyre edhe në qoftë se kanë pyetje apo kritika për çështje specifike. Në themel mendoj se është me rëndësi që gjykata, që është institucion i Kosovës, duhet të lejohet të punojë dhe është me rëndësi që njerëzit nga spektri i gjerë, që qytetarët e thjeshtë, të jenë në gjendje të thonë mendimet e tyre dhe shqetësimet e tyre që shumë njerëz i kanë, por nuk do ta karakterizoja si telashe”, tha amabasadori Kosnett.
Ambasadori Konsett tha se beson që dakordimi i katër shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Shtëpinë e Bardhë do të zbatohet. Ai tha që nëse qeveritë e të dyja vendeve do të jenë serioze në lidhje me këtë angazhim, do të shihet përparim i konsiderueshëm për periudhën një vjeçare. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vëzhgojnë angazhimin e Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar dakordimet.
“Ne e kuptojmë që do të kërkohet kohë për të dëshmuar përparimin e vërtetë në shumë çështje që janë pajtuar në Washington. Ne nuk do shohim autostradat dhe linjat hekurudhore duke u ndërtuar brenda natës. Disa çështje tjera që forcojnë tregtinë rajonale do të marrin kohë. Palët janë pajtuar që do të ishte më mirë që të lirohen nga trysnia politike, nga dramat politike të çnjohjeje të pavarësisë, fushatat për njohje në organizata ndërkombëtare, për të marrë frymë nga procesi i mbushur me tensione për një periudhë kohore dhe brenda një viti të përqendrohen në çështje ekonomike”, tha ai.
Ambasadori Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin bisedimet politike në Bruksel të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe se ky proces së bashku me nismën amerikane, do të krijojnë kushte për të përmirësuar integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik për gjithë rajonin.
“Ne jemi në një kohë kur qeveria amerikane dhe miqtë tanë në Bashkimin Evropian janë vërtetë të përqendruar në Ballkanin Perëndimor, që të bëhet përparim në këtë rajon. Mund t’ju them se do të vazhdojmë të shohim mbështetje dy partiake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përparim, por nuk mund t’ju premtoj se energjia aktuale dhe përkushtimi do të vazhdojë përgjithmonë. Është e rëndësishme që të shfrytëzohet ky moment”, theksoi ai.
Ai tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbetet normalizimi edhe i marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori Kosnett tha se çdo ndryshim i mundshëm i administratës amerikane nuk do të ndikojë mbi marrëveshjen e për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
voa