Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me në kryeRamush Haradinajn.
Qeveria Haradinaj është zgjedhur për mandatin e ardhshëm katër vjeçar. I gjithë procesi i zgjedhjes është kritikuar ashpër nga opozita, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në momentin e votimit, opozita lëshoi sallën për shkak të mospërfilljes së tërheqjes së mocionit për ndërprerjen e debatit që kishte prezantuar në pjesën e parë të punës së seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Fillimisht, mocioni i tij nuk ishte hedhur në votim nga ana e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pasi që në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe. Por, pas një pauze prej më gjatë se dy orë, Veseli e hodhi në votim këtë mocion, pavarësisht faktit që Konjufca hoqi dorë.
Në shenjë proteste, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës lëshuan sallën, duke e akuzuar Veselin për shkelje të Rregullores së punës.
Sidoqoftë, Kuvendi procedoi me votim dhe nga 62 deputetët në sallë, 61 votuan për dhe një abstenoi. Bëhet fjalë për deputetin e partisë Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, i cili për shkak të disa pakënaqësive me kompozimin e kabinetit qeverisës, kishte vendosur të mos i jepte votën atij.
Kryeministri i zgjedhur, Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të drejtojë koalicionin qeverisës ku bëjnë pjesë, Partia Demokratike të Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.
Në paraqitjen e tij para Kuvendit, Haradinaj prezantoi emrat e ministrave të kabinetit të ri qeverisës. Ai u shpreh i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e Qeverisë së re, e cila do t’i ofrojë Kosovës perspektivë, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Gjendja në sektorët veç e veç, pa i mohuar të arriturat e caktuara, prapë është e vështirë. Shëndetësia e arsimi s’janë mirë. Bujku ndihet i lënë vetëm, të rinjtë vështirë arrijnë të vijnë te një vend pune, femrat e kanë edhe më të vështirë punësimin, sidomos ata të viseve rurale”, tha Haradinaj.
Andaj, ai u zotua se Qeveria nën drejtimin e tij është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë.
Po ashtu, tha Haradinaj, Kosova rrezikohet nga “rreziqet e reja dhe të vjetra. Terrorizmi botëror na rrezikon të gjithëve”.
“Kosova në planin e sigurisë do të ndihet e sigurt vetëm në krahun e NATO-s”, theksoi Haradinaj.
Ai foli edhe në gjuhën serbe, duke i siguruar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, se “Kosova është vend i sigurt që garanton liri e siguri për të gjithë”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kritikoi fjalimin e mandatarit për kryeministër, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ishte një fjalim i shkurtër dhe i varfër.
“Programi i tij ishte aq mahnitës saqë na la pa tekst. Ne duhet të shkojmë drejt në votim, pse jo ta kemi Qeverinë e Kosovës dhe të shkojmë përpara. Jemi vonuar shumë, zgjedhjet kanë qenë më 11 qershor”, tha Konjufca.
Seanca e së shtunës nisi me vonesa, ndërkohë që deputetët e Listës Serbe, nuk ndodheshin në Kuvend. Ata, gjatë ditës kishte qëndruar në Beograd në konsultime me autoritetet shtetërore serbe rreth pjesëmarrjes në Qeverinë e re të Kosovës.
Kjo Listë, megjithatëkishte marrë mbështetjen e Beogradit dhe në orët e mbrëmjes, iu bashkua pjesës tjetër të Kuvendit duke votuar dhe duke u bërë pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndërsa deputetët po bëheshin gati për debat dhe votim për apo kundër Qeverisë së re të propozuar nga mandatari Ramush Haradinaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministri në largim, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka kërkuar rrëzimin dhe jo zgjedhjen e kësaj qeverie.
Sipas tij, përmes Listës Serbe, Serbia po bën masakër mbi institucionet e shtetit të Kosovës.
Në prioritetet e Qeverisë së re nënvizohen reformat nisur nga arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe politikat ekonomike për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe joshjen e investimeve te huaja.
Kurse, nga çështjet politike, sfida mbeten problemet që kërkojnë zgjidhje, si dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjes përAsociacionin e komunave me shumicë serbe, pastaj proceset integruese dhe liberalizimi i vizave që duhet të kalojë përmes ratifikimit të demarkacionit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe sfida e përhershme e ndërtimit të shtetit ligjor dhe krijimit të kushteve për funksionimin e pavarur të Gjyqësorit.
Po ashtu, kjo Qeveri pritet të ballafaqohet edhe me fazën, që sipas shumë analistëve politikë, do të jetë më e vështira, atë të akuzave të para nga Gjykata Speciale ndaj-ish pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte. (rel)