Kosova do të ketë një ushtri të re profesioniste nën emrin “Forca e Sigurisë së Kosovës”. Me mbi 100 vota të të gjitha partive politike, përveç atyre të Listës Serbe, deputetët e Kuvendit votuan të premten tri projektligje që lejojnë transformimin e forcave të mëparshme në një ushtri me kapacitete ushtarake me të njëjtën sigël
Seanca e së premtes nisi me një minutë heshtje në nderim të ushtarëve dhe patriotëve që u sakrifikuan ndër vite për kauzën e pavarësisë së vendit. Në seancën e Kuvendit morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama. Kreu i Kuvendit e konsideroi votimin një moment historik. Kadri Veseli tha se: “Me këtë votim sot fillon një epokë e re për shtetin tonë. Nga ky moment e kemi zyrtarisht ushtrinë e Kosovës. Urime ushtarë, prej sot, gatitu”! Ushtria e re profesioniste e Kosovës do të përbëhet nga të paktën 5 mijë trupa, dhe 3 mijë rezervistë, ose dyfishi i forcës ekzistuese që u themelua në vitin 2009. Autoritetet vendase prej kohësh janë shprehur se forca e sigurisë do të merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile, në koordinim me aleancën e Atlantikut të Veriut dhe aleatët e tjerë. Transformimi i plotë i ushtrisë profesionistë pritet të zgjatë deri në 10 vite, dhe përgjatë kësaj kohë Kosova do të vazhdojë të ruhet nga forcat paqeruajtëse shumëkombëshe të KFOR-it.
Thaçi: Me themelimin e Ushtrisë, përmbyllet shtet ndërtimi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se, me miratimin e pakos ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, është përmbyllur procesi i shtet ndërtimit. Sipas presidentit Thaçi, shoqëria dhe shteti i Kosovës ka dëshmuar se di të qëndrojë i bashkuar “për të mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë”. “Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fund vitit”, thotë Thaçi. Kuvendi miratoi tri ligje për FSK-në, të cilat vlerësohet se do t’i japin kapacitete ushtarake kësaj Force, gjatë një procesi të transformimit brenda disa viteve.
Qeveria e Kosovës: Ushtria nuk e vë në dyshim partneritetin me NATO-n
Qeveria e Kosovë, përmes një deklarate rithekson qëndrimin për bashkëpunim me NATO-n në rrugëtimin e formimit të Ushtrisë. “Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bën sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë. “Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se me miratimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës – ne përcaktojmë kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik”, theksohet në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës vlerëson se e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë. “Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë. Për këtë askush mos të ketë asnjë dyshim. Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Mustafa: Ushtria ishte nevojë dhe e drejtë e Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka uruar qytetarët e Kosovës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Sipas Mustafës, Ushtria ishte nevojë dhe e drejtë e shtetit të Kosovës. “Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, ishte nevojë dhe e drejtë e shtetit, prandaj më lejoni që në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës të ua uroj këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin tonë”, thuhet në telegramin e urimit të Mustafës. Mustafa thotë se LDK-ja, në vazhdimësi ka përkrahur ngritjen dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, për shkak se ,siç thotë ai, kjo ishte në “interes të mbrojtjes së vendit, pra, në interes të çdo qytetari të saj”. “Ushtria e Kosovës do të shërbejë për paqe, siguri dhe stabilitet në vend dhe në gjithë Ballkanin”, thotë Mustafa. Kuvendi miratoi tri ligje për FSK-në, të cilat vlerësohet se do t’i japin kapacitete ushtarake kësaj Force, gjatë një procesi të transformimit brenda disa viteve.
Stoltenberg: Nuk ishte kohe e përshtatshme për ushtrinë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sërish ka shprehur kundërshtimin e tij për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Stoltenberg, përmes një deklarate ka thënë se vendimi i Kuvendit të Kosovës, për të miratuar tri ligje për Ushtrinë, vjen “në kohë të papërshtatshme”. “Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Megjithëse transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në parim është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, ne e kemi bërë të qartë se kjo lëvizje vjen në kohën të papërshtatshme”, ka thënë Stoltenberg. “NATO mbështet zhvillimin e FSK-së në mandatin aktual, dhe me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e përfshirjes së NATO-s me FSK-në”, ka thënë shefi i NATO-s. Stoltenberg i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin deklaratat të cilat, siç ka thënë ai, mund të çojnë në përshkallëzim të situatës. “Të gjitha palët duhet të sigurojnë se vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktoret politikë në rajon duhet të fokusohen në arritjen e përparimit në reforma dhe dialog. E ri përsëris thirrjen time drejtuar Prishtinës dhe Beogradit të që vazhdojnë të jenë të qetë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë ose veprim që mund të çojë në përshkallëzim. NATO vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Prishtinës dhe Beogradit si zgjidhje e qëndrueshme politike për rajonin”, ka thënë Stoltenberg. Shefi i NATO-s ka thënë se Aleanca do të vazhdojë që përmes trupave të KFOR-it të ofrojë ambient të sigurt të Kosovë dhe të sigurojë stabilitet në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kocijançiç: BE-ja ka qëndrim të njëjtë me NATO-n për FSK-në
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor ka deklaruar që BE-ja e ndanë mendimin e njëjtë me NATO-n, se mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë që të mbajë obligimet e veta që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, ka theksuar Kocijançiç. Vendimi i Kuvendit të Kosovës që FSK-ja të ketë kapacitete ushtarake, nuk u mirëprit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ambasada Amerikane: Tranzicioni i FSK-së, e drejtë sovrane e Kosovës
Ambasada amerikane në Kosovë ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ka thënë forcë me mandat për mbrojtje territoriale. Ambasada e ka konsideruar këtë hap si të drejtë sovrane për Kosovën. Përmes një deklarate, Ambasada ka thënë se, “këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por ato përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n, që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të Qeverisë së Kosovës”. “I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për t’u angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakica tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë. Të gjitha palët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakica të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane. Përveç tjerash, Ambasada ka kërkuar nga Kosova të bëjë përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë, për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog.
Zgjidhja
Një ushtri e re në krah të SHBA-së dhe NATO-s. Me një votim historik të deputetëve të Kuvendit, Kosova e transformoi ne ushtri Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, kjo është dita më e rëndësishme për popullin shqiptar të Kosovës, sepse forcohet më tej shteti i dyte i shqiptarëve në trojet e Dardanisë. Partia Zgjidhja uron krijimin e ushtrisë popullin e Kosovës, Komandantin e Përgjithshëm Hashim Thaçi, kryeministrin Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Veseli, veçanërisht familjet e dëshmorëve të UCK- së, të cilët derdhën gjakun për liri. Ky vendim i marrë në pajtim të plotë me aleatët, me bekimin e presidentit Trump dhe sekretarit te Mbrojtjes të SHBA, James Matis, erdhi pas përpjekjeve të gjata dhe të durueshme të shtetit të Kosovës për krijimin e ushtrisë, sipas Kushtetutës së vendit. Qeveria e Shqipërisë duhet të bëjë gati një plan diplomatik, politik dhe ushtarak për të ndihmuar në futjen e Kosovës-së në Partneritetin e Adriatikut, ku bën pjesë Kroacia, Shqipëria dhe Mali Zi dhe për të bërë hapat e nevojshmr drejt anëtarësimit të saj në NATO. Ta gëzojnë shqiptarët kudo që janë ditën e krijimit të ushtrisë së Kosovës!
shekulli